SHBA– Presidenti Obama njoftoi sot ato që Shtëpia e Bardhë i ka cilësuar “propozime konkrete”, që synojnë të kontrollojnë dhunën nga armët e zjarrit në Shtetet e Bashkuara.
Plani pritet të propozojë ndalimin e shitjes së armëve luftarake, kontrolle më të mëdha ndaj të dhënave për personat që blejnë armë dhe më tepër përpjekje për përmirësimin e shërbimit të shëndetit mendor.
Plani bazohet tek rekomandimet që dha një grup pune i drejtuar nga nënpresidenti Biden, që u takua me grupe të ndryshme, pas tragjedisë që ndodhi muajin e kaluar në një shkollë fillore të qytetit Newtown në Connecticut. 20 fëmijë dhe 6 të rritur humbën jetën në atë sulm.
Sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney tha se plani i zotit Obama përfshin masa që do të kërkojnë miratimin nga Kongresi, si dhe veprime të cilat mund t’i marrë vetë Presidenti, përmes urdhërit ekzekutiv.