Ka startuar faza e dytë me dëgjesë publike “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” dhe “Për miratimin e rregullores së planifikimit të territorit”, në kuadër të ndarjes së re administrativo-territoriale.
Porti i Durrësit duhet të hapet, të integrohet me pjesën e vjetër historike e muzeale të qytetit të Durrësit, ndërsa kodra e qytetit duhet të kthehet në një park të vizitueshëm për qytetarët. Porti të integrohet natyrshëm me sajtet e vizitueshme, për të gjithë turistët. Këtë ka raportuar Pier Vittorio Aureli, përfaqësuesi i studios projektuese (Joint Venture) Dogma, Latitude Platform, Milan Ingegneria, dhe Studio B&L, që po harton planin e ri zhvillimor të qytetit të Durrësit, në dëgjesën publike që u mbajt në pallatin e kulturës.
“Një pjesë e portit duhet të jetë hapësirë publike, dhe pjesa e portit afër pjesës historike duhet të hapej për vizitorët.”
Ky plan është në fazën e hartimit nga studio projektuese e cila ka firmosur kontratën me Qeverinë Shqiptare dhe Bashkinë Durrës.
Në diskutim kanë marrë pjesë grupe interesi të ndryshme, arkitektë e urbanistë, studentë të planifikimit të territorit nga Universiteti i Tiranës, etj. Ky plan trajton “Strategjinë Territoriale dhe Plani i Veprimeve Strategjike, Prioritare, Investimet Kapitale dhe Projektet Pilot të Zhvillimit për Bashkinë Durrës”.
K.H.





