Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë dy vendet e para të Ballkanit Perëndimor që përfitojnë parafinancim sipas Planit të Rritjes së BE-së.

Për këtë, reagoi përmes një postimi në platformën X, Komisionerja për zgjerim, Marta Kos, e cila nxit dy vendet të vazhdojnë përpara me reformat. Në një postim në “X”, Kos shprehet se duhet të nxisë zbatimin e reformave kyçe për të nxitur rritjen, për të përmirësuar jetën e qytetarëve dhe për t’i sjellë vendet më afër BEsë.

“Urime Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për vendosjen e ritmit në Ballkanin Perëndimor për të marrë parafinancim sipas Planit të Rritjes! Kjo duhet të nxisë zbatimin e reformave kyçe për të nxitur rritjen, përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe afrimin e vendeve me BEnë”, shkruan ajo.

BE miratoi dje fondet e parafinancimit për Maqedoninë e Veriut, ndërsa për Shqipërinë miratimi do të bëhet ditën e sotme. Nga ‘Plani i Rritjes’ vendi ka në dispozicion 922 milionë euro kredi dhe grante që do të shërbejnë për të realizuar reformat e domosdoshme për t’u bërë pjesë e BE. Fondet do të tërhiqen gradualisht në varësi të projekteve dhe kushteve që do të plotësohen.

Më 13 mars Kuvendi miratoi marrëveshjen e huas me BE-në, në kuadër të zgjerimit për Ballkanin Perëndimorë që parashikon 657 mln euro kredi ne kushte të favorshme dhe 264 mln euro grante.

Fonde që do të merren gradualisht sipas projekteve që do financohen dhe kushteve që do të plotësohen. Fondet që vendi do të marrë nga BE, do të menaxhohen dhe mbikëqyren nga Banka Evropiane e Investimeve, e cila do të hapë një zyrë edhe në Shqipëri. Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor synon integrimin e përshpejtuar të rajonit në BE, duke përfshirë aksesin progresiv në tregun e vetëm të BE-së. Plani mbështetet nga një instrument i ri financimi i bazuar në performancë, Lehtësia e Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Ai përbëhet nga deri në 6 miliardë euro në total për periudhën 2024-2027, nga të cilat 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi favorizuese.