Tek Teuta është koha për pushim, por plani është që boshti i skuadrës së sezonit të ri do jetë me futbollistët kryesorë që mbyllën kampionatin e fundit. Gjithashtu, parashikohet që të afrohen vetëm lojtarë që janë të aftë të bëjnë diferencën dhe e njohin mirë Kategorinë Superiore. Drejtuesit kërkojnë të ndërtojnë një ekip me lojtarë shqiptarë për të mos përsëritur gabimet e sezonit të shkuar, ndërsa ambiciet sërish do të jenë të mëdha.

Nga skuadra e vjetshme, lojtarët më të rëndësishëm akoma nuk e dinë se çfarë do të ndodhë me fatin e tyre, edhe pse një pjesë e mirë e tyre janë nën kontratë. Për të ndërtuar një cikël fitues, duhet një bosht ku të bazohesh, pasi nevoja për të pasur lojtarë që dinë të ruajnë ekuilibrat në dhomën e zhveshjes dhe në fushë është e madhe. Pra, kërkohet një ndërthurje mes të rinjve dhe lojtarëve me eksperiencë.

Në këto sezone, tek Teuta ka pasur shumë afrime dhe largime. Lojtarë që vinin dhe ikin pa lënë gjurmë. Sezoni i fundit, pavarësisht pozicionit në klasifikim, mund të quhet i suksesshëm, pasi Teuta ka fituar disa lojtarë për të ardhmen dhe ku mund të bazohet projekti: Bojan Gjorgjievski, Ante Hrkaç, Esin Hakaj, Shpëtim Moçka, Xhonatan Lajthia, Arsid Kruja, apo edhe Amadu Latif.

Një pjesë e tyre u afruan vetëm një vit më parë, por ama me paraqitjen e tyre kanë treguar se janë të denjë për Teutën. Kapiteni Çyrbja ishte lideri i bregdetarëve, por e ardhmja e tij është në ajër, pasi mesfushori i krahut ka disa oferta.