Një nga banoret që jeton në një nga banesat pranë Amfiteatrit, e pranishme sot gjatë ceremonisë së nënshkrimit të Marrëveshjes për Planin e Menaxhimit të Integruar të Zonës Arkeologjike A dhe B të qytetit të Durrësit, iu drejtua drejtpërdrejt ministres së Kulturës Elva Margariti, për të bërë verifikimet e thelluara dhe të duhura për banesat ku ata jetojnë, të cilat mund të preken nga ky projekt.
“Banesat tona nuk kanë lëvizur fare nga tërmeti. Nuk kishin pse të vinin të na thonin që janë në rrezik shembje, kur banorë nga gjithë pallatet kanë ardhur kanë qëndruar te ne”, thotë ajo.
Ministrja iu përgjigj nga ana e saj se do të ndërmerren të gjithë hapat me radhë nga institucionet përkatëse.
“Instituti i Ndërtimit e çdokush nga ne ka detyrat specifike për të çuar përpara të gjithë planin e zhvillimit të zonës. Për rastin tuaj konkret i takon një akt-ekspertize të thelluar që nuk është bërë deri më tani për të gjithë zonën. Kemi bërë akt-ekspertime, kemi krijuar një kuadër më të plotë të të gjithë zonës që të kemi nën kontroll situatën për të ditur se ku do të jenë godinat që do të kenë nevojë për akte më të thelluara”, iu përgjigj ministrja Margariti.
“Ka 50 vjet që diskutohet projekti për tek Amfiteatri. Ne po presim, në fakt jemi shumë mirë, nuk duam asgjë”, thotë banorja, duke shprehur qartë dëshirën e këtyre familjeve për të mos u prekur nga projektet e shumë përfolura.
Qëllimi i këtij Plani Menaxhimi është të ofrojë një perspektivë të re me një kornizë të prekshme dhe të matshme për qëndrueshmërinë e ardhshme të zonës, si dhe për hartimin e projektit arkitektonik për Zonën TID Durrës me Bashkinë Durrës. Fondacioni Shqiptaro Amerikan për Zhvillim (AADF) angazhohet të financojë hartimin e planit të menaxhimit të integruar të Zonës Arkeologjike A dhe B të qytetit të Durrësit dhe hartimin e të projekt-idesë dhe projektit të detajuar arkitektonik për Zonën TID; të përzgjedhë konsulentë vendas dhe/ose ndërkombëtare dhe ekspertë të fushave të ndryshme, sipas nevojës për realizimin e qëllimit të këtij memorandumi.
Nuk dihet se sa kohë do të marrin punimet e këtij projekti të rëndësishëm për qytetin bregdetar, por sipas asaj që u premtua sot, do të bëhet në atë mënyrë që çdo durrsak dhe çdo vizitor do jetë krenar për atë që do të dalë në pah, pasi nën këmbët tona fshihet një xhevahir për të cilin të gjithë jemi kuriozë se ç’formë ka dhe si ka qenë dikur, atëherë kur Durrësi ishte një nga qendrat më të rëndësishme të gjithë rajonit.





