Izraeli ka shokuar ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian. Shkak për këtë është një propozim që ka ardhur nga shefi i diplomacisë së shtetit hebre, Izrael Katz, në takimin e rëndësishëm në Bruksel për paqen në Lindjen e Mesme.

Ministrat e Jashtëm të BE-së u tronditën kur në monitor iu shfaq një video që tregonte planin për ndërtimin e një ishulli artificial në Gaza.

Sipas planit të Izraelit, të gjitha palestinezët e enklavës mund të zhvendosen në atë që po konsiderohet gjerësisht si “një kamp përqendrimi”.

“Duhej ta kishte shfrytëzuar më mirë kohën në dispozicion. Ministri izraelit na prezantoi planet e tij për ishullin artificial në brigjet e Gazës dhe për një lidhje hekurudhore me Indinë. Ai duhej të fokusohej në sigurinë dhe në shpjegimin e numrit të lartë të vrasjeve në Gaza”, nënvizoi Borrell.

Katz e ka promovuar edhe më herët planin e tij, kur ushtronte detyrën e ministrit të Transporteve në vitin 2017, si një lokacion alternativ për palestinezët e Gazës, madje duke kërkuar që komuniteti ndërkombëtar të paguante për ndërtimin e ishullit artificial, që do të kontrollohej nga Izraeli.