TIRANE, 15 shkurt 2013 – Opozita ka reaguar ndaj Planit Rregullues të qytetit të Tiranës, miratuar në Këshillin Kombëtar të Territorit. Anëtari i grupit të punës për Programin e Partisë Socialiste, Artan Lame, ka deklaruar se me miratimin e planit do të “shfarosë” hapësirat e gjelbra për t’i kthyer ato në pallate.

“Sot pamë jo mbledhjen e KKT-së, por të këshillit të pangopur, injorant dhe të paturp. Them “të pangopur”, pasi letrat që miratuan sot, do të shtrydhin çdo element jetese normale në këtë qytet, për ta kthyer në para. Them “injorant”, pasi terminologjia e përdorur në atë tryezë, broçkullat që pjesëmarrësit thoshin, ishin nën nivelin edhe të shkollarit fillestar. Them “të paturp”, sepse gjithçka thoshin, e thoshin duke e ditur shumë mirë që po gënjenin”, tha Lame.

Ai ka shtuar se plani është i shoqëruar me një raport të vlerësimit mjedisor, por autor i raportit është dhëndri i Kryeministrit. “Jamarbër Malltezi është konsulenti që duhet të bëjë oponencën e Planit që ka hartuar Berisha me të vetët. Ne kemi kërkuar që të bëhet një oponencë ndërkombëtare për këtë Plan, që s’dihet as kush e ka hartuar, e as ku e ka hartuar. Ne nuk themi gjëra në ajër dhe as fjalë në erë, siç qe e mbushur sot Mbledhja e Këshillit vrastar të qytetit. Ne kemi kërkuar dhe vazhdojmë të kërkojmë gjëra konkrete, gjëra që çdo qytetar ka mundësi t’i verifikojë në hartat e bëra nga vetë bashkia, gjëra që as Lulzim Basha dhe as Sali Berisha nuk i kanë përgënjeshtruar dot”, u shpreh Lame.

Pas kësaj akuza ka ardhur edhe reagimi i Jamarbër Malltezit, i cili shprehet se Plani Rregullues i Tiranës është rezultat i punës 1-vjeçare i mbi 80 ekspertëve dhe synon 5-fishimin e sipërfaqeve të gjelbra të Tiranës.

“Plani Rregullues i Tiranës është rezultat i punës një vjeçare i mbi 80 ekspertëve që përfaqësojnë ajkën e ekspertizës si dhe palcën e 
shqetësimit qytetar të Tiranës, të cilët u përfshinë në grupin teknik dhe grupin strategjik për hartimin e planit. Edhe Z. Lame gjithashtu ka qenë një nga pjesëtarët e Grupit Strategjik duke u bërë një ndër kontribuesit pasi sugjerimet e tij janë mbajtur shënim dhe janë shqyrtuar gjatë hartimit të planit. Të gjitha shënimet e një dyzine mbledhjesh të Grupit Strategjik dhe Grupit Teknik për hartimin e Planit Rregullues të Tiranës janë botuar si shtojcë e raportit të Vlerësimit Strategjik Mjedisor, dhe kushdo mund të shohë cfarë ka sugjeruar secili prej kontribuesve. VSM e Planit është botuar nga Shtëpia Botuese “Albanian University Press” me numër ISBN 978-9928-127-28-0 dhe shihet se z. Lame ka shprehur mendimet e tij haptaz në disa mbledhje dhe i janë marrë parasysh nga kryetari i bashkisë sic dëshmohet në faqet 138, 140, 152, 157 dhe 192 të raportit të VSM. 

Nga pikpamja mjedisore, Plani ka të mirën e madhe që synon 5-fishimin e sipërfaqeve të gjelbra të Tiranës dhe shpall zonat e ndotura me mbetje të rrezikshme që kërkojnë rehabilitim mjedisor, duke e kthyer Tiranën në një qytet të shëndetshëm dhe miqësor me mjedisin. Nga pikpamja sociale, ky plan krijon mundësinë për popullsinë autoktone të Tiranës që mbi bazë të ndershme dhe të drejtë të zhvillojë pronat në përputhje me parimet e zhvillimit të qëndrueshëm, dhe i jep fund praktikave korruptive t zhvillimeve klienteliste të qytetit",- thotë Malltezi ndër të tjera në replikën e tij.