Plani i ri rregullues i qytetit të Durrësit ka kaluar tashmë në një fazë të rëndësishme të miratimit të tij, atë të përshtatshmërisë me ligjin e ri të urbanistikës. Sipas drejtorit të urbanistikës në Bashkinë e Durrësit, Adhurim Qehajaj, procedurat ligjore parashikojnë që për një periudhë 60 ditore projekti i planit të ri rregullues të prezantohet për qytetarët, të cilët mund të bëjnë vërejtjet dhe sugjerimet e tyre në lidhje me këtë plan.
E thënë më thjesht çdo qytetar mund të njihet me të për të ditur se si përshtatet ky plan me zonën ku ai jeton apo dhe detaje të tjera. Pas kësaj njohjeje qytetari ka të drejtën që në një kuti përkatëse të depozitojë vërejtjet e tij, në mënyrë që ato të shqyrtohen më pas nga ana e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit.
Ekspozimi i planit do të bëhet në ambientet e Galerisë së arteve në qendër të qytetit, ku do të bëhet dhe ekspozimi i hartave të planit rregullues dhe më pas tre përfaqësues të zyrës së urbanistikës do të japin shpjegime dhe detaje të tjera në lidhje me këtë plan rregullues.
Procesi i quajtur në terma teknikë si procesi i përshtatshmërisë me ligjin e ri të urbanistikës (unifikimi i terminologjisë) do të nisë në datën 22 prill dhe do të përfundojë sipas afatit ligjor në datën 22 qershor.
Pas përfundimit të këtij procesi, dokumentacioni do të prezantohet në këshillin bashkiak të Durrësit, ku do të hidhet në votim për t’u miratuar. Më pas dokumentacioni do të kalojë në sekretarinë e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit dhe pas shqyrtimit dhe miratimit nga kjo strukturë do të miratohet në Këshillin Kombëtar të Territorit. Menjëherë pas miratimit nga ky institucion,
Plani i Ri Rregullues do t’i kalojë Bashkisë së Durrësit dhe ligjërisht do të hyjë në fuqi.
Plani shtrihet në 15 vjet perspektivë. Sipas tij, Durrësi ndahet në zonën industriale, zonën e portit, në qendrën e qytetit si dhe në sipërfaqet e gjelbra. Zhvillimi i zonës industriale, e cila përfshin Porto-Romanon dhe Spitallën, është përcaktuar nga qeveria.
Qendra e qytetit është konceptuar si një zonë shërbimesh. Po kështu është përcaktuar edhe zhvillimi i zonës turistike, e cila do të shtrihet në pjesën ekzistuese, por edhe në veri të zonës së Currilave. Ndërkohë, studioja e huaj ka parashikuar zhvillimin e objekteve në shërbim të komunitetit, sikurse janë spitalet, qendrat sociale, shkollat, qendrat sportive e të tjera që përmbledh kjo kategori.
Meqenëse territoret në Durrës tashmë janë zënë, plani ka parashikuar që ato të sigurohen nga pronarët e tokës.