TIRANE, 20 shkurt 2013– Nga selia e Partisë Socialiste, Artan Lame parashtroi tre pyetje të tjera për Planin e ri Urbanistik të Tiranës, hartuar sipas tij nga ekipi "Basha-Malltezi".

Gjatë një prononcimi për mediat, Lame pyeti se çfarë do të ndodhë me atë pjesë të Parkut të Liqenit Artificial, ndërmjet Korpusit Universitar dhe Gardës së Republikës, e cila është përcaktuar si zonë zhvillimi.

"Siç duket, nuk kanë pasur kohë të bëjnë pazarin, ndaj e kanë lënë zonë zhvillimi, për ta riparë në vijim se çfarë do të bëjnë me të". Në lidhje me zonën e gjelbër poshtë "Varrezave të Dëshmorëve", Artan Lame shprehu shqetësimin se ajo është kthyer në një zonë banimi.

Pyetja e tretë kishte të bënte me zgjerimin e "Rrugës së Elbasanit", ku pasi u shkatërrua parku, punimet u braktisën dhe tani ajo është kthyer në një burim aksidentesh. "Për këto tre çështje të reja dhe ato të paraqitura më parë, ne përsërisim ftesën tonë për të debatuar me ekipin Basha-Malltezi, në cilindo tryezë dhe në cilindo televizion",- tha më tej Lame.