Për më shumë se tri orë, të ndryshme ishin edhe pyetjet që i drejtoi publiku përfaqësuesve të hartimit të planit zhvillimor.

Një pedagoge nga Tirana, specialiste e fushës i kërkoi përfaqësuesve të kompanisë dy pyetje.

1) Në këtë plan sa është marrë parasysh trendi i zhvillimit të qyteteve policentrike, për zhvillimin e hapësirave periferike dhe zbutjen  e margjinalizimit?

2) Dhe si mendohet të kapërcehen kontekstet e planifikimit urban sepse konteksti ligjor, pengon planet urbane.

Pier Vittorio Aureli, përfaqësuesi i studios projektuese: “Me ndërhyrjen specifike në disa zona kemi menduar krijimin e më shumë qendrave policentrike në Durrës, ndërsa për konfliktin midis ligjeve të ndryshme që ndikojnë tek urbanizmi, mendojmë që kjo i takon pjesës së tretë të projektit. Kemi shumë mbivendosje dhe probleme në këtë fushë. Ka konfuzion ligjor në mbivendosjen e ligjeve.

Një tjetër qytetar kërkoi se çfarë është menduar për zgjidhjen e problemeve mjedisore në Durrës, duke nisur nga derdhja e ujërave të zeza në bregdetin e Durrësit, trajtimin e mbetjeve urbane etj.

Për të gjitha këto probleme që lidhen me trajtimin e ujërave të zeza, infrastrukturën rrugore, ndërtimin e një parku industrial, u dhanë alternativat nga zoti Aureli. Bashkia Durrës i është bashkuar nismës së hartimit të Planit të Përgjithshëm Vendor për gjithëpërfshirjen e territorit në administrim të saj.

Ky plan është në fazën e dytë të hartimit nga studio projektuese (Joint Venture) Dogma, Latitude Platform, Milan Ingegneria, dhe Studio B&L, e cila ka firmosur kontratën me Qeverinë Shqiptare dhe Bashkinë Durrës, pasi është shpallur fituese e konkursit për hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor të Durrësit, Vorës dhe Shijakut, konkurs i zhvilluar nga Qeveria Shqiptare në fund të vitit 2015. Plani duhet të përfundojë brenda muajit korrik.

K.H.