Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi ka denoncuar sot planin për shembjen e dy pallateve në zonën e Krrabës.
Ai ka deklaruar se për një plan të tillë është përdorur tërmeti, pasi janë shpallur të pabanueshme si pasojë e tij, ndërkohë që 25 familje rrezikojnë të mbesin në qiell të hapur.
Blushi i bëri thirrje SPAK dhe gjykatave të pezullojnë shembjen e të nisin një hetim penal mbi çështjen.
Fjala e plotë:
Partia e Lirisë dënon me ashpërsinë më të madhe vijimin e akteve të rënda kriminale dhe terroriste të Bashkisë së Tiranës për shkatërrimin dhe rrëmbimin me forcë të pronave të ligjshme të qytetarëve.
Me pretekstin e dëmtimeve nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit 2019, Erion Veliaj ka piketuar së fundmi për shembje dy pallate në Njësinë Administrative Kërrabë, duke nxjerrë në qiell të hapur 25 familje, të cilët tanimë nuk dinë ku të fusin kokën dhe për të cilat nuk ka asnjë vendimmarrje për dëshmpërblim apo dhënie bonues qeraje nga Bashkia.
Banesat e tyre janë cilësuar gjoja të rrezikshme për të jetuar dhe do të shemben, me një vendimmarrje të dyshimtë dhe aspak transparente të Bashkisë Tiranë, e cila është kujtuar pas pesë vitesh të ndërmarrë një akt të tillë kriminal.
Skandali thellohet edhe më shumë referuar faktit se ekspertizat e paguara nga Bashkia e Tiranës për verifikimin e dëmeve të këtyre dy pallatave rezultojnë të manipuluara.
Partia e Lirisë është njohur nga vetë banorët me këtë fakt.
Konkretisht, sipas ekspertizës së hartuar nga Bashkia e Tiranës, për pallatin Nr.8, rruga Zall, Njësia Administrative Kërrabë, pretendohet pas gjoja verifikimit në terren se “godina është thuajse e pabanueshme dhe kategorizohet për prishje”. I njëjti rezultat edhe tek ekspertiza jo reale e bërë nga Bashkia e Tiranës për pallatin Nr.12, për të cilin gjithashtu rekomandohet shembja.
Ndërkohë ekspertiza e bërë nga vetë banorët me ekspertë privatë dhe të pavarur i nxjerr pallatet me dëme të riparueshme, të jetueshme dhe nuk i kagorizon ato për shembje.
Konkretisht ekspertët e pavarur pas verifikimit të dëmeve në aktet e tyre për pallatin Nr.8 dhe pallatin Nr.12 në Kërrbë rekomandojnë “përforcimin e strukturës, por jo shembjen e tyre”.
Skandali thellohet edhe më shumë kur vetë banorët pohojnë botërisht se asnjë ekspert nga Bashkia e Tiranës apo Njësia Administrative Kërrabë nuk ka kryer as edhe një verifikim të vetëm në terren të pallatave apo banesave të tyre. Për më tepër që këto pallate janë në pronësi të shoqërisë shtetërore “Alb Miniera” dhe Bashkia e Tiranës kurrë nuk është gjendur përballë këtyre banorëve për t’u dëgjuar hallin apo për t’u zgjidhur ndonjë problematikë.
Të njohur me këto të vërteta tronditëse, ekspertiza të manipuluara dhe akte kriminale për t’u shembur e rrëmbyer pronat e ligjshme 25 familjeve që rrezikojnë të ngelen në qiell të hapur, i bëjme thirrje SPAK dhe gjykatave të pezullojnë menjëherë çdo procedurë shembjeje dhe të nisin një hetim të thelluar penal.
Këto janë të tjera prova të pakundërshtueshme që vërtetojnë paligjshmërinë e akteve barbare të Erion Veliajt ndaj pronave të ligjshme të qytetarëve, gjoja për interes publik, kur në fakt është e njohur botërisht skema mafioze e përdorur gjerësisht në Tiranë, kur qytetarëve u rrëmbehen pronat dhe tokat dhe u jepet mafies së betonit, ky janë bashkëpronarë Erion Velija dhe Edi Rama.
Bërja pluhur e hi e banesave të qytetarëve, ka vetëm një qëllim: rrëmbim të pronave të qytetarëve të pambrojtur për t’ua dhënë oligarkëve të ndërtimit për kulla shumëkatëshe!
Është koha që SPAK të mos mbyllë më sytë përpara kësaj paligjshmërie flagrante, të veprojë me urgjencë dhe të nxjerrë përgjegjësitë ligjore: Kush urdhëroi shembjen e pronave të qytetarëve?
Partia e Lirisë i fton të gjithë qytetarët që Bashkia e Tiranës kërkon t’u shembë banesat të rezistojnë në mënyrë demokratike, të ndjekin rrugën ligjore dhe shembullin e banorëve tek Rr. “Mylsym Keta”, që gjykata u dha të drejtë, duke mos lejuar paligjshmërinë t’u shkatërrojë dhe t’u rrëmbejë pronat e ligjshme.
Partia e Lirisë garanton të gjithë qytetarët në Tiranë dhe në mbarë vendin se do të jetë gjithmonë pranë tyre për mbrojtjen me çdo çmim të lirive, të drejtave, dinjitetit njerëzor dhe pronave të tyre ligjshme.