Mbledhja e sotme e Komisionit parlamentar të Integrimit është shoqëruar me debate të forta mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Teksa raportonte për prioritetet në reformimin e Administratës Publike, zëvendëskryeministrja Senida Mesi tha se në administratë nuk ka patur asnjë largim të paligjshëm.

Për këtë ka reaguar deputetja e LSI, Klajda Gjosha e cila tha se “Reforma në Administratën Publike nuk bëhet me inate personale dhe partiake. Reforma në administratë nuk është shkrirja me një të rënë të lapsit dhe largimi nga puna i qindra punonjësve. 30% e kontratave të punës janë të paligjshme, me emërim të drejtpërdrejtë nga titullari dhe pa konkurs”, tha Gjosha.

Sakaq, ka reaguar zv.kryeministrja Mesi e cila tha se “Në administratë nuk ka asnjë largim të paligjshëm. Vetëm 4 % e atyre me status të Nëpunësit Civil janë larguar. Po kështu në DAP nuk ka asnjë emërim të paligjshëm. Vetëm në ministri të drejtuara nga LSI më parë ka patur 150 emërime të paligjshme”.

“Kjo nuk është çështje tepsie. Mbi 70% ka qenë e juaja në atë kohë”, tha Gjosha.

Pas kësaj kanë nisur edhe debatet në Komision. Deputeti Çuçi tha se “tepsia u çua për skrap në 2017-n. Tani duhet mos të kemi me mundësi të ndajmë copat e pushtetit për hir të koalicioneve politike. Qeveria po shfrytëzon më së miri këtë mundësi”, tha deputeti Çuçi.

Në kohën që fliste deputeti Çuçi ka ndërhyrë deputetja demokrate Grida Duma. Por në debat ka ndërhyrë edhe deputeti Sadri Abazi.

Abazi: Pusho ti moj se nuk do te dëgjojmë ty ne.
Duma: Po ti çfarë ke!? Kujdes kur flet këtu.
Abazi: Kujdes unë, apo…
Duma: Rri urte, ule zërin…
Abazi: Ulur e kam, por e ngre kur të duash ti…
Pollo: Ngrije sa të duash, por mbaje mbyll…
Duma: Kujdes kur flet me mua se e shef pastaj..
Abazi: Kujdes thuaji atyre që komunikon. Se s’komunikon me mua ashtu ti.
Pollo: Ja me këtë qershi mbi tortë po mbyllim këtë pikë të rendit të ditës.
Duma: Kujdes kur flet..