Greqi, 5 maj 2014 – U kthye në një shesh beteje, stadiumi ku do të luhej takimi i playoffit mes Panathinaikos dhe PAOK-ut në Superligën Greke.
Në “Apostolos Nikolaidis”, pa filluar ende ndeshja, atmosfera u ndez dhe shpërtheu në kaos nga të katër anët, sapo grupi prej 300 tifozësh të skuadrës së Selanikut zuri vend në shkallët e stadiumit. Fillimisht me hedhje fishekzjarresh, përplasja mes dy tifozerive degjeneroi më pas në hedhje-pritje stolash që kërcenin në ajër pa pushim, duke vënë seriozisht në pikëpyetje zhvillimin e takimit.
Në këto kushte, arbitri Andreas Pappas i largoi lojtarët nga fusha, ndërkohë që trazirat vazhdonin. Me qetësimin gradual të situatës, sfida e playoffit për një biletë në futbollin europian filloi dhe ishte Mladen Petric që kaloi përpara skuadrën e Panathinaikos në minutën e 21-të. Gjithsesi edhe 300 tifozët e PAOK-ut patën mundësi të festonin në kryeqytetin helen, falë golit të Salpingidis, që vulosi barazimin e paqes në një takim, ku nuk mundi të linte shenjë për ekipin e Selanikut, mesfushori shqiptar Ergys Kaçe, i aktivizuar nga minuta e parë deri në fundit.
Në serinë e ndeshjeve të playoffit, shifra 1-1 është e dyta radhazi si për Panathinaikos, ashtu edhe për PAOK-un.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





