Në 24 orët e fundit, efektivët e policisë së Durrësit kanë qenë mjaft të zënë duke plotësuar dokumentacionin përkatës për 6 raste të dhunës në familje, të regjistruara në qytetin bregdetar.
Njëri nga rastet është më i veçantë, për shkak se të dy ish-bashkëshortët akuzojnë njëri-tjetrin për dhunë fizike dhe psikologjike.
Në këtë rast, policia i është drejtuar Gjykatës së Durrësit për të dy ish-bashkëshortët për të kërkuar urdhër mbrojtje.
Bëhet fjalë për dy ish-bashkëshortët A.R, 51 vjeç, dhe A.H, 45 vjeçe, të dy banues në Durrës, të cilët akuzojnë respektivisht njëri-tjetrin për dhunë të ushtruar.
Por ky nuk ka qenë rasti i vetëm, kur ish-bashkëshortët i janë drejtuar policisë së Durrësit për ndihmë, për të evituar dhunën familjare.
Të njëjtat burime policore bëjnë të ditur se shtetasja E.D., 39 vjeçe, dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj ish-burrit të saj, shtetasit N.S., 55 vjeç. Në këtë rast është plotësuar kërkesë-padia për lëshimin e Urdhrit të Mbrojtjes për ish-bashkëshortin.
Ndërkohë, dy femra të tjera, njëra në Durrës dhe tjetra në Shijak akuzojnë ish-burrat për ushtrim dhune.
Bëhet fjalë për shtetaset E.D, 55 vjeçe, nga Durrësi dhe M.Zh, 37 vjeçe, banore në Shijak, të cilat akuzojnë respektivisht dy ish-bashkëshortët shtetasin N.S, vjeç 55 dhe shtetasin A.Xh., vjeç 44, për dhunë fizike dhe psikologjike të ushtruar ndaj tyre.
Dhe për të mbyllur të gjitha episodet e dhunës të ushtruar në familje gjatë 24 orëve të fundit në Durrës, mësohet se shtetasja B.D., 31 vjeçe, i është drejtuar policisë për ndihmë, për ta mbrojtur nga dhuna e ushtruar nga kunata, shtetasja E.M, vjeç 32, banuese në Durrës.
Të gjitha rastet, policia e Durrësit i ka përcjellë në Gjykatën e rrethit bregdetar në zbartim të ligjit nr.9669, “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.
M.P.





