Brenda Partisë Socialiste është shpalosur hapur konflikti mes deputetit të Fierit, Erion Braçe dhe kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Në rrjetet sociale, ish-zv/kryeministri akuzoi hapur zyrtarin e lartë të partisë në pushtet se ka hequr nga kalendari i punimeve të komisioneve parlamentare amendimin e tij për mbështetjen e bujqve.

Braçe e konsideroi veprimin e Ballës si shenjë paditurie, ligësie dhe abuzimi me pushtetin politik brenda partisë.

Duke patur parasysh kritikat e vazhdueshme prej disa kohësh me ministren e Bujqësisë Frida Krifca për devijimin e subvencionimit të fermerëve, etj., dhe rrëzimin e një amendamenti të tij nga vetë socialistët javën e kaluar në Kuvend, Braçe paralajmëroi se mund të tërhiqet në këtë situatë nga politika.

Braçe: Balla zbuloi se jam kundër qeverisë dhe politikave të saj

Në statusin e tij të publikuar në rrjetet sociale, deputeti socialist denoncoi kryetarin e grupit parlamentar të partisë në pushtet se ka hequr nga rendi i diskutimeve të komisioneve parlamentare propozimin e tij që grumbulluesit e shitësit e prodhimeve bujqësore t’u kthejnë paratë që u takojnë bujqve brenda 50 ditëve.

Braçe ironizoi Ballën duke thënë se e ka hequr amendimin e tij në ligj pasi ka zbuluar se është kthyer tashmë në kundërshtar të qeverisë dhe partisë.

“Në ligj sot, ne kemi veç një afat për të mbrojtur tregtarët, marrëdhëniet mes tyre, asgjë për bujkun në raport me tregarin. Prej qershorit, propozimi ligjor që kam bërë është bllokuar; 5 javë më parë propozimi ishte në kalendar për t’u diskutuar në komisionet e seancës plenare, por përsëri u bllokua në mënyrë të paligjshme jashtë çdo procedure parlamentare, nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste! Përse? Sepse tamam ai, ka zbuluar se unë jam kundër qeverisë së Partisë Socialiste dhe se ligji bie ndesh me politikat e saj!”, shkruan fillimisht Braçe.

Braçe: Balla i lig dhe i paditur, urdhëroi deputetët e PS të votonin kundër meje në Kuvend  

Në vazhdim të statusit të tij, deputeti socialist e konsideron veprimin e Ballës si shenjë ligësie, paditurie dhe abuzimi me kompetencat partiake.

Jo vetëm kaq, por Braçe e fajësoi kryetarin e grupit të deputetëve socialist se urdhëroi të gjithë deputetët e tjerë të PS që të votonin kundër njërit prej amendimeve të propozuara prej tij, javën e kaluar në Kuvend.

Ai theksoi se Balla po godet padrejtësisht bujqit dhe fermerët shqiptarë, të cilët nuk po marrin përfitimin financiar që u takon.

“Pra, pa asnjë efekt mbi buxhetin e shtetit, të propozosh që bujqit të marrin paratë e mallit shitur grumbulluesve, brenda 50 ditëve, qenka kundër qeverisë dhe Partisë Socialiste?! Ky qoftë! Të enjten, urdhëroi votim kundër një ndihme të vogël e konkrete për blegtorët, punën e tyre, thjesht pse ishte propozim i imi. Një urdhër që reflekton padije, padituri, ligësi, smirë, që gëlojnë mes atyre që urdhrin e kanë instrument fuqie, pushteti. Ka bllokuar prej muajsh një rregullim që ndihmon e garanton bujqit të marrin paratë e punës dhe mundit të tyre, tërësisht në mënyrë të paligjshme”, shprehet më tej deputeti i Fierit.

E ardhmja, Braçe: Koha të kërkoj një punë tjetër!

Në fund, Braçe përsëriti atë se çfarë publikoi javën e kaluar në rrjetet sociale pasi kolegët e vet socialistë i rrëzuan një amendament për mospërjashtimin nga TVSH të hoteleve me 5 yje, se ka ardhur koha të angazhohet në një punë tjetër.

Kjo është interpretuar si dorëzim të mandatit të deputetit dhe tërheqje nga politika, por ai ende nuk ka qartësuar se çfarë do të bëjë konkretisht në të ardhmen, do të vazhdojë të qëndrojë në PS jo si deputet, apo do të angazhohet në një aktivitet tjetër. “

Në këtë pikë një pyetje kam: Çfarë duhet të bëjë një deputet për të bërë punën e tij, të mbrojë punëtorët e sektorit më të gjerë të ekonomisë kombëtare, bujqësisë? Ua them vetë: Duhet të kërkojë punë tjetër! Ajër!”, mbyll statusin e tij Braçe.