Pesë qytetarë, 3 nga të cilët nga Durrësi dhe 2 nga Kavaja, janë shpallur në kërkim nga uniformat blu, pasi janë përfshirë në sherr me dy punonjës të bashkisë së Kavajës.
Bëhet fjalë për dy raste të ndryshme, ku në njërin rast 3 banorët e Durrësit kanë kanosur një punonjëse në ambientet e bashkisë.
“U shpallën në kërkim shtetasit: J. B., 33 vjeç, S. B., 36 vjeç dhe K. M., 37 vjeç, të tre banues në Durrës, pasi ka kallëzuar shtetasja D. Q., 56 vjeçe, punonjëse e bashkisë Kavajë, se dje, këta tre shtetas e kanë kanosur në ambientet e punës së saj, për shkak të detyrës;”
Ndërsa në rastin tjetër është përdorur edhe dhuna fizike ndaj një punonjësi të bashkisë, por ngjarje e ndodhur në ambientet e një biznesi.
“Shtetasit E. S., 43 vjeç dhe T. S., 46 vjeç, të dy banues në Kavajë, pasi ka kallëzuar shtetasi A. Ç., 52 vjeç, punonjës i bashkisë Kavajë, se dje, në ambientet e një subjekti privat, këta dy shtetas e kanë goditur me grushte dhe me shkelma, për shkak të detyrës”, njofton policia.
Po punohet për kapjen e shtetasve në kërkim.