Një zënkë në familje mes kunatave është bërë shkak i një sherri të rëndë mes vëllezërve, që nuk kanë ngurruar të nxjerrin edhe armët brenda në shtëpi, raporton “Panorama”.
Ngjarja ndodhi në zonën e Bathores, në Tiranë dhe Policia ka arrestuar njërin nga protagonistët, shtetasin Krenar Lita, i cili ka kërcënuar me armë gruan e vëllait të tij.
Në mbrojtje të gruas, 35-vjeçari Krenar Lita ka marrë një armë gjahu tip “Shotgun”, që xhaxhai i tij e mbante me leje, dhe ka kërcënuar kunatën e tij, shtetasen A.H., 34 vjeçe, me të cilën ishte konfliktuar e shoqja.
Pas këtij momenti, në mes janë futur edhe dy vëllezërit e tjerë, kunatat dhe xhaxhai, duke tentuar të mbyllin konfliktin. Të lajmëruar nga fqinjët, forcat e Policisë të Komisariatit nr.5 kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, duke parandaluar një krim të mundshëm në familje.
Policia ka nisur procedim penal edhe për xhaxhain e Litës, shtetasin me iniciale G.L., i cili është kryefamiljar në shtëpinë ku ndodhi sherri, pasi iu gjetën një sasi fishekësh.
Po hetohet në gjendje të lirë edhe bashkëshortja e të arrestuarit, 30-vjeçarja N. Lita, e cila, sipas Policisë, ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj dy vëllezërve të burrit.





