21 qershor 2015 – Pas arrestimit të Ermal Hoxhës si pjesë e trafikut ndërkombëtar të drogës, nëna e tij Teuta, duket se ka gjetur ilaçin për të harruar sadopak akuzat, që mund t’ia lënë në burg të birin edhe pse ajo beson se ai është i pafajshëm dhe gjithçka bëhet “për të diskretituar emrin e Enver Hoxhës”.

Teuta Hoxha sjell një libër ku ka marrë përsipër të tregojë dinastinë e familjes më dominante gjatë regjimit komunist.

Libri titullohet: “Enveri në kujtimet e mia”, ku flet për njohjen me bashkëshortin Ilirin, takimin e parë me Enverin, shëtitjet, bisedat intime, marrëdhëniet me pjesëtarët e tjerë të familjes, fejesën e djalit të Mehmet Shehut, një letër të panjohur të Nexhmije Hoxhës edhe dëshmi nga ditarët personalë të vjehrrit dhe vjehrrës dhe më pak nga vitet e pas ’90-ës.

Siç shihet, vepra është e fokusuar pak më tepër në ngjarjet e komunizmit, gjatë të cilit Teuta Hoxha ishte nuse për 18 vjet dhe 25 vjet në demokraci.

Në libër, Teuta tregon për nipin Rei dhe mbesën Hera, dy pasardhësve që ajo ua dedikon librin. Por siç do të mund të shihet nga pasazhi i mëposhtëm, libri është shkruar në atë mënyrë që të lë të kuptosh sikur këta janë të dy fëmijët e Rezarta Shkurtës. Ndërkohë që këngëtarja ka vetëm vajzën, Hera.

Rei është djali nga martesa e parë e Ermalit me ish-missin Sonila Çaushi, të cilën Teuta Hoxha nuk e përmend asgjëkundi. Ja çfarë shkruan ekzaktësisht ajo:

“Edhe pas viteve ’90 kur familja jonë u shtua me nusen e dy djemve tanë, Holtën dhe Rezartën, me nipin Rei he mbesën Hera, ne të dy çdo vit, në atë tryezë të bukës ku kishim qëndruar dikur me Enver Hoxhën, përsërisnim urimin e bukur të tij: “ Nga vit gëzuar!”

Atë natë të Vitit të Ri 1972, takimi me prindërit e Ilirit ishte një takim shumë i përzemërt. Atë gjysmë ore që ata qëndruan me miqtë e fëmijëve të tyre, mua më kushtuan një vëmendje të veçantë. Tani çdo gjë po shkonte drejt “zyrtarizimit” të lidhjes sonë.”

REAGON NENA E REIT, SONILA

E kontaktuar nga gazeta “Panorama”, ajo u duk shpërfillëse në telefon ndaj ish-vjehrrës dhe e painteresuar që të komentojë rreth librit të saj. Pas shumë këmbënguljesh, Sonilën e takojmë pranë RTSH-së, aty ku ajo punon orej vitesh në sektorin e marketingut.
Edhe nga afër, indiferenca e saj lidhur me familjen Hoxha ishte po njësoj si në telefon, duke lënë të kuptohet se ajo çfarë e lidh me atë mbiemër është vetëm djali I saj Rei, tashmë 15-vjeçar.

“Unë nuk jam tip aspak mediatik dhe as dua të bëhem personash, por kësaj here jam e detyruar të jap një ëprgjigje, duke qënë se bëhet fjalë për tim bir. Dua të them vetëm një fjali ish-vjehrrës: Që nëna dihet gjithmonë, e shkruan apo e nuk e shkruan ti, babai nuk dihet…”, thotë Sonila, e cila ka krijuar tjetër familje dhe Rei ka një vëlla 5-vjeçar.

Në ato pak minuta bisedë me Sonilën, e kthejmë bisedën te familja Hoxha, Sonila bëhet hermetike. “Ajo e ka biznes librin, se histori nuk di. Nuk është historiane, edhe pse pretendon. Uroj t’i shitet libri, sepse ka nevojë, do të ketë shpenzime,” e mbyll bisedën Sonila ndërsa na percjell më kortezi, shkruan gazeta ‘Panorama’.