Mediat e huaja raportojnë se një deputete në Gjeorgji goditi sot kolegun e saj me një shishe uji.
Debati në Kuvend nisi për shkak të çështjes për “agjentët e huaj”, e cila ka shkaktuar polemika në vend.
Projektligji që ka shkatuar polemika kërkon që organizatat që marrin më shumë se 20 për qind të financimit të tyre nga jashtë, të regjistrohen si “agjentë të huaj”.
Kundërshtarët e projektligjit e quajnë këtë ligj autoritar dhe “të frymëzuar nga Rusia”, por partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane thotë se është e nevojshme të sigurohet transparencë në financimin e organizatave joqeveritare.
Bashkimi Evropian ka thënë vazhdimisht se projektligji rrezikon rrugën e Gjeorgjisë drejt anëtarësimit në BE.
Në një deklaratë të shpërndarë më herët gjatë këtij muaji, Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrel tha se miratimi i projekligjit do të kishte pasoja negative mbi rrugën integruese të Gjeorgjisë.
Edhe pse Presidentja e Gjerogjisë Salome Zourabichvili pritet të vendosë veton ndaj projektligjit në rast se miratohet nga Parlamenti, partia në pushtet mund ta rrëzojë atë nëse mbledh 76 vota. Pas këtij akti, kryetari i parlamentit mund të firmosë miratimin e ligjit.
Ndërkohë zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin ka thënë se Moska nuk ka asnjë lidhje me projektligjin.