Mbrëmja e djeshme në “Top Show” nuk ka qenë shumë e këndshme për artistët e ftuar, të cilët e kanë gjetur veten në një konflikt me dy opinionistët Albana Osmani dhe Ervin Kurti. Të ftuarit ishin Anxhela Peristeri dhe Aurel Thellimi, që kanë promovuar klipin e tyre më të ri “Qesh”, por mesa duket jo çdo gjë ka shkuar siç duhet.

Opinionisti i “Top Show Magazine” Ervin Kurti fillimisht i është drejtuar Aurelit dhe Anxhelës duke thënë se kënga nuk i ka pëlqyer shumë dhe se klipi është paksa vulgar. Madje, sipas tij, klipi është i ngjashëm me ata të viteve 1999-2000.

Pjesë e kësaj bisede është bërë edhe Anxhela, e cila i bën të qartë Ervinit se gjërat e bukura janë ato të thjeshtat. Por Ervini vazhdon të mbrojë idenë e tij duke thënë, “ky është një perceptim i imi, i cili është bazuar në disa njerëz që dinë potencialin tuaj. Kur ju dëgjojnë në muzikë live thonë çfarë zëri ka Aureli dhe Anxhela”.

Gjatë debatit, Ervini ka bërë edhe një lapsus, të cilin Aureli e ka shfrytëzuar, për të thënë se, “problem i gazetarëve është se flasin me 100 në orë”.

Pjesë e konfliktit është bërë edhe Albana Osmani, e cila ju është drejtuar të ftuarve duke thënë se kënga e tyre ngjan më shumë me këngët tallava, por këngëtarët vazhduan të tregojnë se kënga është pëlqyer nga masa.

Për ta mbyllur diskutimin, moderatori Alban Dudushi ka ftuar në skenë maestron e orkestrës, Gentin, i cili ka pranuar se kënga ka shenja të muzikës ballkanike. /Xing.al/