19 shtator 2015 – Në përfaqësuesen braziliane të futbollit plas çështja e besimit fetar. Pas prezantimit të skuadrës për dy sfidat e tetorit kundër Kilit dhe Venezuelës, e ku mungonin mbrojtësi Thiago Silva e sulmuesi Neymar, vëmendja u përqendrua të çështja e lojtarëve të besimit ungjillor. Për të kuptuar thelbin e çështjes duhet bërë një hap prapa, në ndeshjen e ditëve të para të shtatorit që “seleçao” luajti në Boston. Pas takimit, me ftesë të disa futbollistëve, në hotelin e kombëtares u shfaq pastori ungjillor, Guilherme Batista. Në një sallë ku lojtarët mund të takonin familjen dhe miqtë, dhjetë prej futbollistëve të Brazilit u mblodhën rreth pastorit në një lutje, e cila më pas u publikua nga Batista në rrjetet sociale. Bëhej fjalë për Kaka e David Luiz, por edhe Alisson, Douglas Santos, Fabinho, Jefferson, Douglas Costa, Lucas, Marcelo, Grohe dhe Lucas Lima. Tashmë Carlos Dunga e ka kritikuar ngjarjen, duke saktësuar se ai dhe federata “respektojnë çdo fe”, por nënvijëzoi faktin se “ekipi kombëtar nuk është vendi i përshtatshëm për të shpalosur idetë politike apo fetare të individëve”.

Drejtuesi i stolit të “seleçao”-s kërkoi që ngjarje të tilla të mos përsëriten më gjatë grumbullimit të ekipit. Sipas Dungës, kombëtarja përfaqëson gjithë kombin, ndërsa disa pastorë thjesht synojnë ta shfrytëzojnë besimin e lojtarëve për publicitet.Numri i “Sportistëve të Krishtit” në radhët e skuadrës Braziliane është rritur në mënyrë konstante gjatë viteve të fundit. Trajneri nuk mendon ti shpallë luftë grupimit të lojtarëve besimtarë, duke përgënjeshtruar se lënia jashtë edhe e Ricardo Kaka lidhet me ngjarjen.

/portali DurresLajm/