Paris SG-ja ka zgjidhur çështjen e trajnerit të ri duke emëruar Kristof Galtie në krye të skuadrës. Por ardhja e teknikut të ri nuk është se ka qetësuar ujërat në Paris.Të tjera tema janë ende të nxehta, aq më shumë kur flitet për “peshat” e rënda të klubit Nejmar, Mesi e Mbape.Tani i gjithë fokusi është te Nejmari dhe largimi i mundshëm i brazilianit nga kampionët e Francës pas qëndrimit të ashpër të presidentit Naser Al Khelaifi. Ndoshta strumbullari i të gjitha lëvizjeve në Paris mund të jetë Kilië Mbape.Që nga dita e rinovimit të tij me klubin francez, në mediat franceze dhe jo vetëm është spekuluar për faktin se sulmuesi i kombëtares franceze do të marrë komandën qoftë edhe për fatin e disa lojtarëve në ekip.
Një gjë e tillë është hedhur poshtë nga presidenti Al Khelaifi. Por teksa flitet për Nejmarin, në Paris janë të bindur se braziliani ka futur xixat mes Mbapesë dhe Mesit.Pas shumë e shumë zhvillimeve për muaj me radhë, në fund Kilië Mbape vendosi të refuzojë Realin e Madridit dhe t’i thotë po Paris SG-së. Ai firmosi një kontratë të re deri në vitin 2025 me kampionët e Francës.Sipas atyre çfarë kanë raportuar mediat franceze, përtej rritjes së ndjeshme të përfitimeve financiare nga kontrata e re, Mbape ka marrë më shumë fuqi edhe në drejtim të skuadrës.Një nga kërkesat e para të Mbapesë ka qenë largimi i Nejmarit nga klubi.
Për Mbapenë problemet disiplinore të brazilianit janë të mjaftueshme për t’i bërë dalje nga Parisi.Por siç ka bërë me dije gazeta spanjolle “Mundo Deportivo”, një kërkesë e tillë e Mbapesë nuk është pritur aspak mirë nga Lionel Mesi.Sulmuesi argjentinas dëshiron që miku i tij Nejmar të mbetet në ekip si për aftësitë e tij si futbollist ashtu dhe për vetë frymën në skuadër. Mesi raportohet të ketë dalë menjëherë kundër idesë për largimin e Nejmarit. Presidenti i Paris SG-së, Naser Al Kelaifi, ka deklaruar pak ditë më parë se opinioni apo mendimi i Mbapesë do të dëgjohet, por nuk është kurrsesi sulmuesi francez që vendos se kush do të largohet e kush qëndron në skuadër.
“Ata që nuk përshtaten me projektin e klubit tonë do të largohen. Ka pasur nga ata që kanë përfituar nga kjo situatë e ndërlikuar, por tani gjithçka ka marrë fund. Nuk ka më lojëra”, ka thënë Al Khelaifi. Tashmë pyetja e vërtetë që shtrohet ka të bëjë me atë nëse Nejmari do të vijojë në klub apo do të largohet. E sigurt është se nëse Nejmari do të largohet kostoja financiare për Parisin do të jetë kolosale. Ai ka një kontratë deri në vitin 2027 dhe nëse Parisi vendos t’i tregojë derën e daljes do të duhet t’i paguajë 32 milionë euro në sezon!





