Mosmarrëveshjet dhe ngërçet brenda Grupit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, të drejtuar nga Sali Berisha janë shtuar sërish pas kryerjes së procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për kryetarë të 61 bashkive (primaret).
Ish-deputeti demokrat që garoi në primaret për Tiranën, Gerti Bogdani kritikoi ashpër lidershipin e “Foltores” për mosangazhimin në përgatitjen për përballjen elektorale me socialistët në 14 maj, mungesën e vizionit për drejtimin e opozitës dhe për realizimin korrekt të primareve.
Bogdani u rendit i treti në procesin e përzgjedhjes së kandidatit të “Foltores” për Bashkinë e Tiranës pas deputetit të Tiranës Belind Këlliçit dhe mjekut Ilir Alimehmeti duke marrë 1819 vota të demokratëve.
Ish-deputeti i PD në vitet 2009-2017, Gerti Bogdani u shpreh me tone kritike ndaj organizimit të “Foltores” për zgjedhjet lokale të këtij viti.
Në “Ora News”, ai theksoi se demokratët e drejtuar nga Berisha po humbasin kohë me përgatitjet e fushatës, ndryshe nga socialistët në pushtet të cilët janë vënë në lëvizje në terren që në muajin shtator.
Kritika e tij iu drejtua jo vetëm ish-kryeministrit, por dhe kandidatëve për bashkitë e vendit që nga Belind Këlliçi në Tiranë.
Në fund, Bogdani paralajmëroi se ky handikap në Grupin e Rithemelimit mund t’i kushtojë shtrenjtë opozitës në humbje në 14 maj.
“Në qytetet kryesore dhe në pjesën më të madhe të tyre kemi një muaj kohë të humbur kot. Unë e kuptoj që kanë qenë festat e fundvitit, Krishtlindja, Viti i Ri e me radhë, por kjo nuk të pengon që të fillosh punën dhe organizimin për fushatën, dhe nga ana tjetër, ajo që thoni ju, pra një forcë që është në qeveri, një forcë që i ka të gjitha pushtetet, dhe prapë është në fushatë.
Ata kanë shumë më tepër se dy muaj, kanë që prej muajit shtator që janë në terren, pra mbase nuk kanë qenë në terren me emrat konkrete të kandidatëve konkretë, që do kenë në 14 maj, por kanë qenë në terren me strukturën organizative të Partisë Socialiste.
Kjo padiskutim që është një handikap shumë i madh për PD, gjë që pastaj reflektohet në ditën e fundit, ditën e votimit dhe ditën e shpalljes së rezultatit, pra 14 maj e ditët në vijim”, tha Bogdani.