Një sherr mes dy familjeve ka përfunduar me 3 të plagosur. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Laçes, njësia administrative Fushë-Alie në Dibër, ku në konflikt janë përfshirë fillimisht shtetasit Zenel Margjoni, 65 vjeç dhe Xhevat Përgjegji, 19 vjeç të cilët e kanë goditur njëri-tjetrin për motive të dobëta.

Më pas janë përfshirë në konflikt edhe familjarët e tyre, shtetasit H.M., dhe L.M., familjarët e 65-vjeçarit si dhe shtetasja M.P., familjare e të riut.

Si pasojë e konfliktit kanë mbetur të dëmtuar dy protagonistët kryesorë të sherrit dhe e afërmja e 19-vjeçarit, të cilët po marrin ndihmë mjekësore në spitalin e Peshkopisë dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Dibër kanë arrestuar në flagrancë shtetasit Xhevat Përgjegji, 19 vjeç, për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje” dhe Zenel Margjoni, 65 vjeç, për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje” e kryer në bashkëpunim.

Policia e Dibrës që ka ndërhyrë në kohë, pa përshkallëzimin e konfliktit ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit: H.M, 65 vjeç, dhe L.M, 36 vjeç, banues në Njësinë Administrative Fushë-Alie-Dibër.