Libertad, skuadra nga Paraguaji, fitoi tri nga shtatë ndeshjet e saj në turneun “Apertura 2019”. Ajo debutoi në Grupin H të “Copa Libertadores” me një fitore bindëse 4-1 ndaj Universidad Católica de Chile. Megjithatë, udhëheqësit e klubit vendosën t'i japin fund kontratës së trajnerit, Leonel Álvarez.

"Ne erdhëm në stërvitje në orën 07:30, por nuk na lejuan të hynim. Nuk duket një veprim profesionist, është një reagim i egër, që na habit. Nëse shkarkohet dikush, ai duhet lejuar të hyjë në klub dhe të marrë sendet e veta”, – tha të mërkurën Rubén Darío Bedoya, asistent i trajnerit.

Këtë të enjte, përmes një konference shtypi, avokati i klubit, Gerardo Acosta, shpjegoi se çfarë ndodhi: "U vendos që të ndërpritet marrëdhënia e punës me zotin Leonel Álvarez dhe stafin e tij teknik për arsye që kanë të bëjnë vetëm dhe ekskluzivisht me përmbushjen e kontratës së tij”.

Ky njoftim zyrtar ngriti edhe më shumë dyshime mbi atë që ndodhi. Arsyeja e vërtetë e shkarkimit të kolumbianit nuk u zbulua dot edhe nga mediat paraguajane, të cilat dolën me tri versione. Programi televiziv “Paraguai Teleshow” tha se një nga arsyet mund të ishte ftohja midis trajnerit dhe udhëheqësve të klubit, gjë që çoi në këtë fund të papritur.

Sidoqoftë, ka zëra të tjerë, që qarkullojnë. Njëra prej tyre konfirmon se Alvarez, 51 vjeç, ka pasur marrëdhënie seksuale me gruan e Edgar Benitez. Ky i fundit e mohoi këtë fakt: "Kjo është krejtësisht e rreme, fantazi e njerëzve. Për mua situata është mëse e qartë, shpresoj që drejtuesit e klubit t’i kenë sqaruar gjërat. E vërteta është se ne nuk dimë asgjë pse u shkarkua trajneri.

Ne nuk jemi të vetëdijshëm për atë që ndodhi".Versioni tjetër i përmendur në “Paraguai Television” është se golashënuesi i ekipit, Tacuara Cardozo, ka pasur marrëdhënie seksuale me gruan e Alvarez, Johanna Garcia. Pra, mes tri versioneve të shkarkimit, dy kanë qasje të marrëdhënieve intime, seksuale, brenda për brenda skuadrës.