DURRËS, 6 nëntor 2014– Michel Platini mendon se Kupa e Botës pësa i përket vitit 2022, në Katar, duhet luajtur në periudhën e dimrit. 59-vjecari francez pra del hapur kundër disa prej ligave më të forta dhe klubeve më të rëndësishme të këtyre vendeve, që dëshirojnë që ky kampionat të zhvillohet në muajin maj. Përgjithësisht kampionati botëror mbahet në muajt qershor – korrik, por drejtuesve të FIFA-s iu është thënë se organizimi i këtij eventi gjatë stinës së vetës mund të rrezikojë shëndetin e futbollistëve. Në një intervistë për BBC Michel Platini deklaroi se Kupa e Botës në këtë vend nuk mund të zhvillohet në muajt prill, maj ose qershor dhe ai shtoi se finalja e Champions League-s nëse është e nevojshme mund të zhvendoset për në qershorin e vitit 2022, sidoqoftë drejtuesi më i lartë i UEFA-s këmbëngul se pavarësisht vendimit përfundimtar që do të aprovohet, pra cilido qoftë ai, që të gjithë drejtuesit e tjerë të klubeve duhet të bien dakord me të. Drejtuesit e Premier League, Primera Division dhe Bundesligës Gjermane besojnë se organizimi i Kupës së Botës në muajin maj do të shkaktonte më pak përcarje në gjirin e FIFA-s, megjithatë duke patur parasysh kushtet datat favorite për zhvillimin e këtij aktiviteti mbeten në periudhën ndërmjet muajve nëntor, dhjetor, janar dhe shkurt. Presidenti Sepp Blatter ka arritur një marrëveshje me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar për të mos patur përplasje me Lojërat Dimërore që do të zhvillohen po atë vit, e një zgjedhje e tillë automatikisht përjashton organizimin e Katar 2022 në muajt janar dhe shkurt. Organizmi më i lartë i futbollit në Kontinentin e Vjetër dhe klubet kryesore janë kundër datave që influencojnë ndeshjet në grupe përsa i përket Champions League-s, një alternativë kjo e përkrahur nga drejtuesit e Premier League-s, pasi gjatë kësaj periudhe përfundojnë shumë kampionate në Amerikën e Veriut dhe Amerikën e Jugut, megjithatë vetë Platini gjatë një vizite në Angli, për bashkëpunimin me Football Associations, pikërisht në fushën stërvitore St’George’s Park në Staffordshire rrëfeu se për të si president i UEFA-s nuk përbën aspak problem zhvillimi i këtij kompeticioni në muajt nëntor, dhjetor, janar dhe shkurt. 59-vjecari francez shpjegoi se për të personalisht nuk do të përbënte shumë problem spostimi i datave në Champions, por një ndryshim i tillë sipas tij do të hapte telashe për klubet angleze që në këtë pjesë të vitit kanë periudhën më të ngjeshur. Platini shtoi se nuk është penduar për një zgjedhje të tillë duke mbështetur alternativën e Katarit për organizimin e Kupës së Botës, pasi shtetet arabike kishin dështuar plot shtatë herë me kandidaturat e mëparshme. Numri 1 i UEFA-s është i bindur se besueshmëria e Kupës së Botës nuk ka rënë aspak dhe ai u justifikua me faktin se nuk ka qenë i vetmi që ka dhënë votën e tij për Katarin. Figurat më të rëndësishme të këtij sporti do të mblidhen ditën e hënë në Zyrih për të gjetur një zgjidhje në lidhje me datat dhe në plan është lënë gjithashtu një tjetër takim në muajin janar. Në fund Platini deklaroi se është kundër rikandidimit të Sepp Blatter, për herë të pestë, sepse sipas tij zvicerani iu premtoi në vitin 2011 drejtuesve të UEFA-s se ky do të ishte mandati i tij i fundit, ndërkaq kur u pyet Michel Platini si zv/president i FIFA-s nëse beson apo jo se Blatter mund të thyhet në zgjedhjet e ardhshme, francezi u përgjigj shkurt se shpreson se një gjë e tillë është e mundur.





