26 nëntor 2014 – Teksa duhet më shumë se një muaj deri në shpalljen e fituesit të Topit të Artë, Michel Platini jep mendimin e tij për fituesin e ri. Numri një i UEFA-s mendon se trofeu më i lartë individual në botën e futbollit duhet të shkojë për një nga futbollistët kampion Bote, duke qenë se 2014 është viti i botërorit. Pavarësisht se nuk nxjerr emra Platini evidenton se Topi i Artë 2014 duhet të jetë një nga futbollistët e kombëtares Gjermane që u shpall kampione Bote në botërorin e Brazilit, ashtu sic u shpreh edhe në vitin 2010.
“Mendoj se paraqitjet e skuadrave europiane dhe në vecanti e Gjermanisë duhet të vlerësohen për lojën e zhvilluar. Mendoj se do të jenë shumë futbollistë europiane që do të nominohen për të fituar Topin e Artë, dhe janë të shumtë ata që e meritojnë ta fitojnë këtë trofe. Por unë jam i mendimit që në vitin e Kupës së Botës, Topin e Artë duhet ta fitojë një kampion bote. Ky është një mendim që e kam dhënë edhe 4 vite më parë ku mendoj se cmimi i duhej dhënë një futbollisti spanjoll”.
Më pas Platini flet dhe për polemikat përsa i përket zgjedhjes së organizimit të dy botërorëve të ardhshëm në Rusi në 2018 dhe Katar në 2022. “Duhet të publikohet raporti sipas normave të komitetit të etikës dhe nëse ka parregullsi atëherë duhet të ketë një votim të ri. Botërori i Katarit duhet luajtur në dimër dhe jam i sigurt që do të gjejmë një zgjidhje në familjen e madhe të futbollit, për të mirën e tij dhe të kupës së botës”. Gjithashtu Platini u ndal edhe përsa i përket organizimit të EURO 2016 nga Franca, duke konfirmuar se vera e vitit 2016 do të jetë një festë e vërtetë futbolli. Gjithashtu numri një i qeverisë europiane të futbollit, konfirmoi se Berlini dhe Varshava plotësojnë kriteret maksimale për organizimin e finaleve të këtij sezoni në Champions League dhe Europa League.





