DURRËS, 17 tetor 2014 –  Në një intervistë për një radio franceze, presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, paralajmëroi se do të kishte sanksione për Serbinë dhe Shqipërinë, pas incidenteve që sollën ndërprerjen dhe anulimin e ndeshjes së të martës.

Numri 1 i futbollit europian nuk bëri asnjë ndarje specifike të përgjegjësive për atë që ndodhi në Beograd, edhe pse serbët ishin organizatorët e aktivitetit dhe ishin pikërisht tifozët serbë që me futjen e tyre në fushë sollën edhe ndërprerjen e takimit.

“Është e turpshme ,ajo që ndodhi mes Shqipërisë dhe Serbisë.

Me siguri që do t’i ndëshkojmë.

Po presim raportin e gjyqtarit, të delegatëve dhe zyrtarëve të sigurisë që ishin dërguar enkas për shkak të rrezikshmërisë së lartë që paraqiste ndeshja.

Më tej, komisioni disiplinor do të marrë vendimet. Ai është një ent i pavarur dhe vetëm ai mund të vendosë”, tha Platini. “Futbolli është aq popullor sa që është i mbushur me politikë.
Unë jam në kontakt me 54 shtete dhe e di rëndësinë që ka futbolli në shumicën prej tyre”.