DURRES, 15 qershor 2013 – Ngritja e temperaturave rikthen pushuesit në plazhin e Durrës.
Kanë nxituar të largohen nga pluhuri dhe zhurmat elektorale, që kanë pushtuar qytetet e mëdha, shumë qytetarë nga Durrësi e Tirana.
Jo vetëm ata, por edhe shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia kanë zbarkuar në bregdet dhe kanë shijuar banjot e diellit dhe ujit, të kënaqur nga flladi i lehtë dhe pastërtia e bregdetit durrsak në këtë mes qershori.
Pushuesit jo ditorë, që preferojnë këtë periudhë për të kaluar disa ditë në plazhin ende jo të mbipopulluar, shprehen se janë të kënaqur edhe nga çmimet që ofron Durrësi për akomodim.
Ka çmime për xhepin e të gjithëve dhe kjo është pozitive, veçanërisht në këtë periudhë të ngarkuar politikisht që ka nisur të lodhë shumë qytetarë.
“Larg rrëmujës, larg rrëmetit, po dhe këtu …”- thotë me shaka një pushues nga Elbasani, ndërsa qëndron shtrirë në një zhezlong e zgjat dorën tej.
Vargu i çadrave që zgjatet deri në vijën e bredetit është nga të vetmit shqetësime të pushuesve këtë fillim vere.
/Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





