Plazhi në qytetin Nea Moudania në Halkidiki është goditur nga një stuhi rëre të dielën pasdite. Sipas mediave greke, stuhia ka shkaktuar dëme në lokalet e plazhit, ndërsa tre persona pësuan lëndime.
Michalis Sioutas, doktor i meteorologjisë nga Universiteti Aristoteli në Selanik tregon se kjo është një “dukuri e zakonshme që ndodh kryesisht në korrik dhe gusht për shkak të ngrohjes së papritur, të fortë të tokës”.
Ai shton se, meqenëse është një fenomen i paparashikueshëm me intensitet të fortë që mund të hedhë objekte, mund të jetë i rrezikshëm për ata që janë afër.





