Këtë fundjavë plazhi i Durrësit do të jetë gati për pritjen e pushuesve të tij të parë.
Operatorët turistikë dhe Ndërmarrja Komunale e Plazhit të Durrësit janë duke i dhënë dorën e fundit masave që po merren për pasrumin e bregdetit. “Në fundjavë përfundon pastrimi i leshterikut së bashku me plugimin dhe dezinfektimin e rërës, në një gjatësi prej rreth 8 km vijë bregdetare”,- deklaroi drejtori i Ndërmarrjes Komunale të Plazhit, Alfred Dhuli.
Dhuli pohoi se për këtë vit parashikohet një furnizim më i mirë me ujë të pijshëm, si dhe furnizim i pandërprerë me energji elektrike në plazhin e Durrësit, pas investimeve të kryera.
Ndërkohë bizneset kanë filluar ngritjen e çadrave dhe banorë të ndryshëm nuk i kanë rezistuar tundimit për t'u hedhur në ujërat e Adriatikut.
Plazhi i Durrësit është edhe plazhi më i madh i vendit tonë, ku në stinën e verës numri i pushuesve nga vendi dhe shtetet fqinje i kalon një milion e gjysmë pushues.
K.H.