Asnjëherë më parë, as në vitin e mbrapshtë 1997, plazhi i Durrësit nuk ka qenë totalisht i zbrazët.
Në një tjetër kohë, bregu i detit dhe lokalet do të gumëzhinin nga zërat e njerëzve që dyndeshin aty për të kaluar fundjavën, nga fëmijët që të shkujdesur do t’i gëzoheshin rërës dhe lodrave, ndërsa shitësit ambulantë do të vinin rrotull duke u munduar të shisnin produktet e pakta që tregtojnë.
E gjithë kjo do të ndodhte në një kohë tjetër…
Por jetojmë në kohën e koronavirusit. Ndërsa lulet dhe pemët i gëzohen diellit dhe flladit pranveror, në plazh, e vetmja zhurmë që dëgjon është përplasja e dallgëve në breg.
Plazhi të shpaloset në gjithë bukurinë e tij, ndërsa çadrat, si ushtarët e një ushtrie që ka ikur në drejtim të paditur, i rezistojnë stoike kapriçove të motit.
Operatori Sokrat Toçi sjell në intervalin e mëposhtëm plazhin e Durrësit në të gjithë bukurinë e tij, për të gjithë ne që s’mund të shijojmë derisa pandemia Covid-19, të mos kërcënojë më jetët tona dhe të afërmve tanë.
Në plazh sot mbizotëronte heshtja dhe qetësia, në pritje të rilindjes së shpresës…





