Kandidatët e Partisë Socialiste të qarkut Durrës zhvilluan një takim masiv në zonën e Plazhit, në qytetin e Durrësit. Në sektorin “Hekurudha” kandidatët socilistë janë pritur nga qindra qytetarë, duke dëgjuar për afro një orë investimet që do të kryhen aty gjatë mandatit të tretë.

Kryetarja e bashkisë Durrës, Emiriana Sako tha se: “do ndërtojmë nga e para rrugën “Apulia”, rrugën “Pelikani”, sistemimin e kuartallit “Qafë Botë” si dhe investimin për shëtitoren e re bregdetare”.

Në lidhje me këtë të fundit, kryebashkiakja Sako tha se po punohet për projektin dhe do të jetë një financim i përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe bashkisë Durrës. Shëtitorja bregdetare pritet të ndërtohet nga Ura e Dajlanit deri te Blloku i Vilave në Plepa dhe ajo do t’i japë një pamje komplet tjetër plazhit të Durrësit.

Në lagjen nr 13 në Plazh afro 3000 familje kanë përfituar grant rikonstruksioni, 1700 marin bonus qiraje, ndërsa 68 familje do të hyjnë së shpejti në banesat që po ndërtohen të reja. Zona e Plazhit ka 4 kandidatë në listën e PS për qarkun e Durrësit dhe një gjë e tillë është vlerësuar pozitivisht.

Erjon Meka, kryetar i njësisë administrative nr 5 që përfshin zonën e Plazhit dhe Shkozetit, është gjithashtu kandidat i PS për zgjedhjet e 25 prillit. Duke folur para banorëve, Meka tha se: “përvec investimeve që përmendi kryetarja e bashkisë, ne do bëjmë të mundur që zona e Plazhit të ketë një shkollë të mesme. Kjo lagje ka 25 mijë banorë dhe ndërtimi i një shkollë të mesme është tashmë domosdoshmëri, pasi përvec banorëve që jetojnë këtu, ajo iu vjen në ndihmë edhe fshatrave që afër Plazhit, si Shkallnuri, Arapaj, Romanati, Manskuria etj”. 

Alban Xhelili: Taksimi 9% që kërkojnë të vendosin kudërshtarët, regres për ekonominë

Alban Xhelili është kandidat i PS për Durrësin dhe mban numrin 2 në listën me 15 emra. Ai është kontabilist dhe gjithmonë është marrë me problemet e biznesit në Durrës.

Duke folur para banorëve të zonës Xhelili tha se: “asnjëherë nuk mund të krahasohen reformat ekonomike dhe niveli i taksimit të Partisë Socialiste me qeverisjet para vitit 2013. Ne aktualisht kemi taksim zero për biznesin e vogël me xhiro deri në 10 milion lekë të reja në vit, pra biznesi i vogël nuk paguan taksa. Kjo ëhstë jë pikë e fortë që ne tregojmë se jemi më të mirët. Nuk mund të krahasohet taksimi zero me taksimin që propozojnë kundërshtarët, 9%. Qoftë edhe më pak se 9%, është në vlerë më e lartë se zeroja dhe ky lloj taksimi që propozojnë kundërshtarët tanë  është regres për ekonominë e vendit. Ne kemi aktualisht të pataksuar pagën 30 mijë lekë dhe në janar të vitit të ardhshëm, edhe paga deri në 40 mijë lekë do të jetë e pataksuar. Çfarë do të thotë kjo, që qytetarët me këto nivele pagash do të cojnë më shumë para në shtëpitë e tyre”.

Alban Xhelili e mbylli fjalën e tij duke iu drejtuar të pranishmëve që të votojnë PS dhe Edi Ramën në zgjedhjet e 25 prillit, pasi kështu votojnë për familjet e tyre dhe të ardhmen e tyre. 

Klodiana Spahiu: Investimet strategjike do e bëjnë sezonin turistik më të gjatë

Kandidatja Klodiana Spahiu tha para banorëve të zonës se: “ne e dimë se zona ku ju jetoni mbështet më së shumti tek sezoni turistik dhe për shumicën nga ju ky sezon nuk zgjat më shumë se 3 muaj. Qeveria jonë dhe bashkia kanë shumë projekte për zonën, por projektet strategjike janë ato që do ia ndryshojnë faqen zonës së Plazhit. Porti i ri turistik, shëtitorja e re bregdetare, hekurudha e re Tiranë-Rinas-Durrës dhe investimet në infrastrukturë, do të bëjnë që këtu të vijnë më shumë turistë, nga e gjithë bota, në mënyrë që sezoni të shkojë 12 muaj në vit, jo të mbetet tek 3-4 muaj”.

Spahiu e mbylli duke iu bërë thirrje banorëve për mbështetje maksimale në 25 prill për të votuar Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama.