DURRES, 11 korrik 2013 – Jo vetëm një vend për të kaluar pushimet verore larg zhurmës së përdishme, por edhe një mundësi e mirë fitimi për shitësit ambulant.

Plazhi i Durrësit është kthyer një ndër zonat më të lakmuara për dhjetra e qindra shitës ambulant, të cilët përgjatë tre muajve të verës,shesin për pushuesit e turistët e huaj, asortimente të ndryshme.

Disa prej tyre stacionohen në vende të caktuara, ndërsa të tjerë lëvizin në këmbë përgjatë gjithë gjatësisë së plazhit, me qëllimin e vetëm, për të tregtuar mallin e tyre. Më shumë pushues, për këtë kategori, përkthehet në më shumë të ardhura.

Asortimentet që shitësit ambulant ofrojnë për pushsuesit në mes të rërës dhe vapës përcëlluese, janë nga më të ndryshme. Edhe pse jo shume fitimprurëse, për shitësit ambulant kjo është e vetmja mundësi për të fituar diçka, me të cilën do të mbajnë familjen e tyre.

Kjo kategori tregon se nga viti në vit, ka një rënie të blerjes së produketeve të tyre që tregtojnë nga pushuesit dhe kjo jo për shkak të çmimeve që janë të njëjtat me dyqanet apo vendet ku tregtohen asortimente të ndryshme, por për shkak të rënies së fluksit të pushuesve në këtë zonë bregdetare, ç'ka ndikon në uljen e xhiros ditore. Veç të rriturve të papunë, në mes të vapës aty shesin edhe fëmijë të mitur, të cilët mundohen të fitojnë diçka duke ndihmuar prindërit e tyre në ekonominë e shtëpisë.

Eraldi, është vetëm 10 vjeç dhe çdo ditë bën me dhjetra kilometra në këmbë, mbi rerën e nxehtë, për të tregtuar asortimentet e tij, kundrejtë një fitimi simbolik. Teksa, tregon se sa e vështirë është të përshkosh çdo ditë dhjetra kilometra në rërën përveluese si dhe nën rrezet e nxehta të diellit, ai tregon se të pakta janë fitimet nga shitja e produkteve. Sipas tij, pushuesit nuk tregojnë shumë interes për të blerë, ndersa fitimet ditore arrijnë nga 200 deri në 300 lekë, një shumë kjo mjaft e vogël për të ndihmuar ekonomikisht familjen e tij, e cila përbëhet nga 6 persona.

Por, krahas fitimeve simbolike, këta shitës ambulant edhe pse në lëvizje herë pas here, detyrohen të përballen edhe me punonjës të policisë bashkiake, të cilët i gjobisin për zhvillimin e aktivitetit të tyre, ndërsa në të shumtën e rasteve ata dëbohen nga plazhi. Pikërisht si ky 10-vjeçar janë me dhjetra e qindra shitës ambulant, të cilët lëvizin në këmbë përgjatë gjithë vijës bregdetare, me shpresën e do të shësin diçka.

/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/