Plazhi i Durrësit është mikpritës në çdo stinë të vitit. Jemi në muajin shkurt dhe po kalojmë një javë me temperatura të ulta, por një xhiro apo një kafe në bregdet, sidomos pasditeve, është mjaft e preferuar nga vendasit dhe të huaj.
Megjithëse jemi në sezonin e ulët, qyteti bregdetar vijon të mirëpresë turistë nga vende të ndryshme të botës.
“Është qytet shumë i bukur. Kam qenë në shumë vende dhe më pëlqen këtu. Njerëzit janë mikpritës dhe koha është mjaft e mirë, megjithëse jemi në dimër. Ne jetojmë në Kanada ku bën shumë ftohtë, prandaj këtu na duket mrekulli. Në vendin tim e njohin shumë pak Shqipërinë, por unë do të nis ta reklamoj tek miqtë e mi”.
“Kam ardhur për turizëm. Do të qëndroj një javë, sepse është hera ime e parë këtu. Më pëlqen shumë Durrësi në dimër, koha është mjaft e mirë dhe po e shijojmë shumë qëndrimin këtu.”
“Durrësi më pëlqen më shumë në pranverë, por edhe në verë. Është qytet mikpritës në çdo stinë dhe më pëlqen të jetoj këtu”.

Për vendasit, ndryshimi që ka pësuar shëtitorja bregdetare është një ftesë më shumë për të kaluar pasditet pranë bregut të detit.
Për fëmijët është një hapësirë për të luajtur, ndërsa për të rriturit një oaz qetësie.

Përveç qetësisë dhe pastërtisë që ofron në këtë periudhë, plazhi është mjaft i pëlqyer edhe për perëndimet e mrekullueshme të diellit.
M.B.