DURRES, 5 qershor 2013 – Sezoni turistik 2013 tashmë është zyrtarisht i hapur nga bashkia e qytetit, por plazhi i Durrësit ende nuk është gati për të pritur pushuesit.

Përkeqësimi i kushteve atmosferike, i shoqëruar me reshje shiu e erë të fortë, ka rikthyer ndotjen masive nga leshterikët dhe mbetje të tjera përgjatë gjithë vijës brengdetare të plazhit të Durrësit.

Panorama që të ofrohet në plazhin publik, në këto ditë të para të muajit qershor mbetet kritike.

Leshterikët dhe mbetjet e tjera urbane, tashmë kanë pushtetin e tyre  në të gjithë vijën bregdetare. 

Vetëm pak javë më parë nga ana e Ndërmarrjes së Komunales në Plazhin e Durrësit, nisi një aksion për pastrimin e gjithë vijës bregdetare nga leshterikët, plugimin e dezifektimin e rërës, por krahas kësaj ndërhyrje, në plazhin e qytetin është rikthyer sërish ndotja. 

Rrymat e forta detare kanë nxjerr në breg qindra metra kub inerte dhe leshterikë, duke bërë që plazhi  të jetë sërish e ndotur. 

Drejtori i Ndërmarrjes së Komunales së Plazhit, Alfred Dhulli, sqaron se sasia e leshterikut i dalë në breg të detit është e madhe, por garanton se me përmirësimin e kushteve atmosferike do të ndërhyhet me qëllim pastrimin e të gjithë vijës bregdetare.

Sipas tij, kjo ndërmarrje do të angazhojë të gjithë punonjësit e makineritë me qëllim që plazhi i Durrësit të jetë i pastër brenda javës së ardhshme, kohë në të cilën pritet të nisë dhe frekuentimi masiv.

/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/