Temperaturat optimale kanë bërë që bregdeti i Durrësit të frekuentohet masivisht këtë fundjavë. Çmimet e ulëta të akomodimit e të ushqimit janë garancia se plazhi i Durrësit, më i madhi në vend, është shtëpia e dytë e të gjithë bashkëatdhetarëve tanë nga trojet shqiptare jashtë kufijve. Së bashku me çmimet e ulëta, kuzhina tradicionale e tyre dhe miqësitë që kanë lidhur në vite me radhë, kanë krijuar marrëdhënien e besimit.
Pushuesit kosovarë dhe maqedonas shprehen se ndihen të sigurtë në bregdetin e Durrësit, duke e konsideruar si shtëpi të dytë ndaj edhe e frekuentojnë për çdo vit, duke u kthyer në pushues tradicionalë të bregdetit të Adriatikut. Ata shprehen se krahas mikpritjes, natyrës dhe qetësisë, janë çmimet e favorshme që i bëjnë të zgjedhin Durrësin përpara destinacioneve të tjera turistike. Sipas pushuesve, çmimet në Durrës janë shumë të leverdishme dhe të përballueshme krahasuar me destinacionet e tjera turistike të vendit si bregdeti i jugut apo i veriut.
Ndërkohë, pushuesit ngrenë shqetësimin për mungesën e hapësirave publike dhe atë të higjenës.
Përgjatë vijës bregdetare të plazhit të Durrësit vihet re mungesa e infrastrukturës së përgjithshme, siç janë rojet bregdetare, mungesa e dusheve dhe banjave publike.
K.H.