Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ka vendosur që turistët t’i orientojë nëpër tualetet e lokaleve dhe bareve në breg të detit
DURRES, 13 maj 2013 – Pushuesit e shumtë që pritet të vizitojnë bregdetin e Durrësit, këtë sezon veror do të përballen me një sërë problemesh.
Sikurse edhe një vit më parë, këtë sezon do të mungojnë disa prej kushteve më elementare në vijën bregdetarë që mbulon bashkia e Durrësit, e cila nis nga Ura e Dajlanit dhe përfundon te pista "Iliria".
Në një gjatësi prej 3.4 kilometra nuk do të ketë asnjë banjo publike e dushe.
Në mungesë të tyre, kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ka vendosur që turistët t’i orientojë nëpër tualetet e lokaleve dhe bareve në breg të detit.
I pyetur mbi mungesën e banjove publike e dusheve, Dakoja është shprehur se, për shkak të mungesës së fondeve, nga mosmiratimi i buxhetit, këtë vit nuk do të ketë investime në plazhin e Durrësit.
Sipas kryebashkiakut, pushuesit mund të përdorin banjot e bizneseve, që operojnë përgjatë vijës bregdetare në bazë të një kontrate që bashkia ka me këto të fundit.
Ky propozim ka hasur kundërshtimin e bizneseve, të cilët pohojnë se një shërbim i tillë do t’u ofrohet vetëm klientëve të lokalit dhe jo pushuesve të tjerë.
Numri i banjove publike dhe dusheve në plazhin e Durrësit është reduktuar në vazhdimësi: nga 11 banjo publike që ka pasur, aktualisht nuk disponon asnjë të tillë.
Pjesa më e madhe është shembur, ndërsa mbi të tjerat janë ndërtuar lokale.
Në të tilla kushte, pushuesit janë të detyruar të shpenzojnë më shumë, pasi vetëm për të përdorur banjot private të bizneseve që operojnë në plazhin e Durrësit, ata fillimisht duhet të bëhen klientë të tyre.
/e. a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





