–         Kryebashkiaku Dako ka denoncuar një ngjarje të pabesueshme, të realizuar nga njerëz të qeverisë dhe që vinin nga porti me mjete të rënda pune

DURRËS, 28 maj 2013 –Disa persona me mjete të rënda pune kanë mbyllur kanalin e ujërave të bardha që kalon në zonën e plazhit duke sjellë rrezikun e përmbytjeve masive për shtëpitë e kësaj zone, njofton zëdhënësi i bashkisë.

Banorët e zonës tepër të indinjuar janë shprehur se disa njerëz me fadromë dhe mjete të tjera kanë ardhur dhe e kanë mbyllur kanalin duke futur brenda një tub me një diametër të vogël më pak se një metër, që nuk mund ta përballojë prurjen e ujërave të këtij kanali që ka një gjerësi më shumë se dy metra dhe thellësi edhe më të madhe.

Banorët e zonës thanë se në fillim kanë menduar se këta persona janë të autorizuar nga Bashkia, por, pas interesimit të tyre, kanë marrë përgjigje se pushteti vendor nuk kishte dijeni për këtë problem.

Në këtë moment banorët u kanë kërkuar llogari personave, të cilët thanë se ishin të qeverisë dhe se vinin nga porti.

Më pas, duke parë acarimin e banorëve, janë larguar së bashku me mjetet e tyre, duke lënë pas një kanal të mbyllur në një gjatësi të konsiderueshme, gjë që aktualisht përbën një rrezik akut dhe krijon një situatë alarmante përmbytjeje për shtëpitë përreth.

Banorët kanë reaguar të indinjuar duke u shprehur se qeveria nuk mund të marrë vota në këtë mënyrë duke u bërë shkak e një katastrofe të vërtetë me mbylljen e kanalit.

Sapo është njohur me shqetësimin e banorëve për këtë ngjarje të rëndë, kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka shkuar në vend për të parë situatën.

Dako ka biseduar me banorët dhe u ka deklaruar se do të ndërhyjë për të stabilizuar këtë situatë që është krijuar nga persona të papërgjegjshëm e që do të përballen me drejtësinë.

Kryebashkiaku Vangjush Dako ka deklaruar për mediet:

"Dua të denoncoj një veprim të papërgjegjshëm të disa individëve që kanë ardhur brenda natës dhe kanë mbyllur këtë kanal për të marrë vota nga qytetarët e zonës, por duke na hapur një problem të jashtëzakonshëm që do të sjellë përmbytjen e zonës në periudhë shirash. Mbyllja e këtij kanali, jo sipas parametrave të duhur, do të shkaktojë përmbytjen e gjithë zonës, pasi kjo është pika më e rëndësishme e këtij kanali 6 kilometra të gjatë që përballonte të gjitha prurjet e shirave. Me mbylljen e këtij kanali në këtë formë, jemi përpara një katastrofe shkaktarë të së cilës janë disa njerëz të papërgjegjshëm që mbyllin kanalin për të marrë disa vota. U bëj thirrje subjekteve politike të mos kryejnë veprime të tilla në dëm të qytetarëve. Ne si bashki jo vetëm që nuk kemi pasur dijeni por jemi të alarmuar nga situata e krijuar dhe do të punojmë që ta kthejmë atë në normalitet”.

Dako tha se bashkia do të fillojë menjëherë procedurat duke bërë kallëzim në prokurori për ata që kanë mbyllur kanalin e ujërave të bardha në plazh në mënyrë të papërgjegjshme.

/Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/