Kryetari i Partisë për Liri, Demokraci dhe Etikë, Arian Galdini, në një takim me pedagogë universitetesh publike e private deklaroi se "Partia për Liri, Demokraci dhe Etikë këtë jave mbush plot pesë muaj ekzistence në spektrin politik shqiptar dhe ka arsye që të ndihet si një parti shpresënxitëse e njëkohësisht në rritje."
Më tej, kryetari i PLDE theksoi se "raporti final i Komisionit të Venecias e ka vendosur këtë klasë të mbrapshtë politike shqiptare me shpatulla për muri." "Këta të gjithë këlthasin se e duan reformën në drejtësi, ndërsa në fakt të gjithë ngrenë kurthe ndaj njëri-tjetrit për t'ia faturuar palës kundërshtare peshën e rëndë të mosdashjes… Reforma në drejtësi është e dizenjuar që të luftojë korupsionin dhe inkriminimin në politikën, instituconet dhe shoqërinë shqiptare. Ndërsa këta e duan drejtësinë si drejtësi të koruptuar, politizuar e së fundmi edhe të policizuar. Ky elementi i fundit i policizimit të drejtësisë është karakteristikë e natyrës së çartur, fashistoide të qeverisë së Edi Ramës. Edi Rama e do drejtësinë edhe të koruptuar, edhe të politizuar, edhe të policizuar. Policizimi i drejtësisë është rreziku i ri që mund ta gjunjëzojë përfundimisht dhe pariparueshmërisht drejtësinë dhe shpresën e shqiptarëve," – tha Galdini.





