Banorët e lagjjes nr.15, në qytetin e Durrësit, në Porto-Romano, po përballen këto ditë të nxehta gushti me një problematikë të madhe, ndotjen e mjedisit.  Një grup banorësh të kësaj lagjeje kanë denoncuar sot para kamerës së “DurrësLajm”, ndotjen mjedisore, si pasojë e mos grumbullimit të mbetjeve urbane.

Kontejneerët e mbetjeve në këtë lagje, prej ditësh nuk pastrohen, ndërsa mbetjet kanë përfunduar në rrugë. Banorët ankohen se kjo situatë jo e panjohur për ta, ditët e fundit është bërë tepër e rëndë, pasi era e keqe ndihet kudo.

Banorët thonë që për të pakësuar mbetjet këtu nuk mungojnë rastet kur plehrave u vihet flaka gjatë natës dhe ndotja bëhet akoma dhe më e madhe.

“Zjarret nuk vihen nga banorët sepse ata s’kanë asnjë interes. Është ndonjë mekanizëm që ndiqet nga bashkia. Nuk hapim dot dyer e dritare sepse vjen tymi në shtëpi”.

Për këtë problem banorët kanë ngritur zërin shumë herë, por situata nuk ka gjetur zgjidhje. Me një sërë problemesh të tjera që nga përmbytjet dhe deri te mbetjet, banorët e kësaj zone ndihen të lënë pas dore.

Sot kemi problem sepse nuk durojmë dot erën e rëndë, por nesër do të ketë përmbytje, se kjo zonë shquhet për përmbytje. Ka 30 vjet që nuk është hapur asnjë kanal këtu”, shprehen ata.