21 nëntor 2015 – Rreth 50 studentë të universitetit të Durrësit “Aleksandër Moisiu”, kanë protestuar sot në ambientet e kampusit universitar në Spitallë. Studentët, me maska në fytyrë, i kanë kërkuar bashkisë dhe qeverisë të marrin masa urgjente për gjetjen e një zgjidhjeje për plehrat.
Mijëra studentë rrezikojnë shëndetin e tyre, pasi plehrat e të gjithë qytetit po digjen në ambient të hapur. “Jemi fare pranë fushës së mbetjeve urbane që digjen, duke çliruar në ambient të hapur dioksid karboni. Nuk e kuptojnë që jo vetëm studentët, por të gjithë banorët e zonës së Porto Romanos, rrezikojnë shëndetin nga plehrat”, ishte apeli I studentëve.
Studentët kanë dalë me propozime konkrete. “Bashkia të nisë standardizmin, të riciklojë plehrat. Qeveria të marrë masa urgjente. Të gjenden fajtorët se përse Durrësi ka përfunduar në këtë situatë me plehrat”, ishin propozimet drejtuar bashkisë dhe qeverisë.
“Nuk zhvillohet dot mësim, ndërsa digjen plehrat”, thotë një student.
“Ta mbyllin universitetin nëse nuk krijojnë as kushtet minimale”, thotë një tjetër studente.
Në krah të studentëve, janë parë edhe përfaqësues të PD-së së qytetit bregdetar, të cilët kanë nxitur edhe protestat studentore.
/K.H. portali DurresLajm/