–         Një fabrikë riciklimi në Vorë autorizohet për importin e 4500 tonë në vit mbetje të plastikës nga BE-ja, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Serbia, Turqia, Bosnjë-Hercegovina, Amerika e Veriut, Amerika e Jugut dhe Afrika

–         Transporti do të bëhet në rrugë tokësore dhe detare (nëpërmjet portit të Durrësit turistik)

 

TIRANË, 24 maj 2013 –Një fabrike riciklimi, 10 km në vijë ajrore nga Durrësi, i është hapur drita e gjelbër nga qeveria për importin e 4500 tonë në vit mbetje të plastikës nga BE-ja, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Serbia, Turqia, Bosnjë-Hercegovina, Amerika e Veriut, Amerika e Jugut dhe Afrika.

Vendimi

Një muaj para zgjedhjeve të përgjithshme dhe 6 muaj para referendumit për plehrat, Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave Fatmir Mediu, ka miratuar vendimin për autorizimin e “General Polymeren Recycling Albania” shpk për importin e mbetjeve të plastikës për qëllime riciklimi.

Sipas autorizimit, sasia e mbetjeve të plastikës që importohet, është 4500 tonë në vit.

Mbetjet do të importohen nga vendet e Bashkimit Evropian dhe nga Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Serbia, Turqia, Bosnjë-Hercegovina, Amerika e Veriut, Amerika e Jugut dhe Afrika.

Transporti do të bëhet në rrugë tokësore dhe detare (nëpërmjet portit të Durrësit turistik). 

Periudha e lejimit të importit të mbetjeve të plastikës nga “General Polymeren Recycling Albania”, është njëvjeçare.

Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, në zbatim të kërkesave të mësipërme ligjore dhe për të siguruar mbrojtjen e mjedisit dhe të shëndetit publik, duhet të marrë masat e nevojshme për kontrollin e procesit të riciklimit të mbetjeve të plastikës nga “General Polymeren Recycling Albania”.

Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave komunikon, me shkrim, me shtetet eksportuese dhe ato transitore për autorizimet përkatëse që lejojnë kalimin e kësaj sasie të mbetjeve të plastikës.

Afër Gërdecit

FirmaGeneral Polymeren Recycling Albania (GPR Albania) thotë se është një ndër ricikluesit kryesorë në Shqipëri, të polimereve plastike si PET, PP e HD-PE, të cilat riciklohen me profesionalizëm dhe në mënyrë moderne me anë të një teknologjie të lartë dhe të sofistikuar gjermane.

GPR Albania shpkndodhet në fshatin Gjokaj, bashkia e Vorës, 500 m prapa Deka Company, dhe rastësisht, jo për faj të ministrit Fatmir Mediu, 500 m në vijë ajrore nga fshati i Gërdecit.

Po ashtu, kjo fabrikë ndodhet 2 km larg Shijakut, ku po kandidon për deputet Agron Duka nën siglën e Partisë Republikane të ministrit Fatmir Mediu.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/