Prej disa muajsh, një lagje në njësinë administrative Sukth, në bashkinë Durrës përballet me një situatë të rënduar përsa i përket tërheqjes së mbeturinave urbane nga venddepozitimi i tyre.

Bëhet fjalë për rrugën “Ali Shika”, e njohur ndryshe si Lagjja Kodër.

Siç duket edhe në videot që na dërgojnë banorët e zonës, kazanët e plehrave janë të tejmbushur, ndërsa mbeturinat urbane përfundojnë në rrugë dhe zonën përreth.

Sipas banorëve, problemi është i përsëritur dhe pavarësisht ankesave të vazhdueshme, situata nuk ndryshon. Mbeturinat tërhiqen nga venddepozitimi një herë në javë, duke e shndërruar këtë vend në një vatër ndotjeje ambientale.

Banorët kërkojnë zgjidhje të menjëhershme për situatën e krijuar dhe tërheqje të rregullt të mbeturinave urbane, pasi problematika po vijon prej muajsh tashmë.

Në disa raste, komuniteti i zonës është detyruar të paguajnë vetë kamiona për transportimin e plehrave.

Ndërkohë situata komplikohet edhe më shumë, pasi bashkitë Shijak dhe Durrës ia hedhin përgjegjësinë njëra-tjetrës lidhur me tërheqjen e mbeturinave. 

Të kontaktuar nga “Durrëslajm”, si kryetari i Bashkisë Shijak ashtu edhe kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, mohojnë përgjegjësinë e strukturave të tyre për tërheqjen e mbetjeve. Sipas Sakos, ky venddepozitim nuk është kompetencë e ndërmarrjes komunale të Durrësit që prej vitit 2015, ndërkohë që edhe kryebashkiaku i Shijakut mohon se ky venddepozitim është në kompetencë të strukturave përgjegjëse të bashkisë së tij.

Derisa dy bashkitë të zgjidhin se kujt i përket ky venddepozitim i mbetjeve urbane dhe kush ka kompetencë për tërheqjen e tyre, banorët e zonës do ta presin Vitin e Ri mes plehrash.