Në fshatrat e Maminasit koha ka ndalur.

Mes pirgjeve me mbetje urbane dhe rrugës tejet të amortizuar, qindra banorët e Karpenit, Metallajt dhe Bodinotit vuajnë çdo ditë mungesën e vëmendjes së pushtetit vendor.

“Kjo rrugë këtu është problem për të gjithë. S’është e shtruar, s’diskutohet edhe për plehrat, jo vetëm këtu, gjithandej nuk po merren.”

“Në këtë gjendje rruga është që prej ‘95-ës. Kemi tentuar disa herë, e kemi rregulluar me fondet tona, që të paktën të ecë makina, ka hedhur disa herë edhe komuna, por prapë, nëse nuk shtrohet asfalti rruga kështu do të shkojë“, tregojnë për kamerën e “DurrësLajm” banorët, për të cilët kjo përkthehet në kosto të tjera, që ua rëndojnë edhe më tepër xhepat.

Përditë makinat i çojmë në servis“, ankohen disa prej tyre.

Ndonëse taksapagues të rregullt, investimet janë një procedurë e harruar, edhe pse premtohen sa herë që ka zgjedhje.

“Për ne këtu nuk ka ekzistuar fare shteti. Gjithë taksat i paguajmë. Prandaj po ikim. Kanë ikur fëmijët do ikim edhe ne. Të rrijnë këtu vetëm këta që kanë pushtetin“, deklarojnë ata.

Pavarësisht se është një rrugë rurale, ajo shërben si nyjë lidhëse për më shumë se 200 banorët e fshatrave Metallaj, Karpen dhe Bodinot me Shijakun, Durrësin dhe Tiranën, prandaj nevoja për ndërhyrje është emergjente.

K.Gj.