19gusht 2015 – Djegia e plehrave në Porto-Romano, një shqetësim i zakonshëm për banorët e gjithë Durrësit, është sjellë sot sërish në qendër të akuzave të PD-së kundrejt bashkisë. Kreu i PD-së së Durrësit, Osman Stafa, denoncoi në rrjetet sociale kryebashkiakun Vangjush Dako për situatën.
Duke postuar disa fotografi nga momenti i djegies së mbeturinave dhe tymit që sipas Stafës janë shkaktuar nga ndotja, ai shprehet se, “ky krim realizohet çdo ditë nën kujdesin e veçantë të kryetarit të bashkisë, z.Dako. Kryetari i bashkisë, me veprimet dhe mosveprimet e tija ka urdheruar ose lejuar djegien e plehrave e për pasojë ndotjen e ajrit në zonën e Porto Romanos dhe gjithë Durrësit, duke ndotur kështu ajrin tej normave te lejuara dhe te parashikuara ne legjislacionin mjedisor shqiptar, si dhe në Konventat Nderkombëtare për mbrojtjen e mjedisit, të ratifikuara nga Republika e Shqiperisë”, tha kreu i PD-së lokale. “Ky është realiteti Dako…plehra para, gjatë dhe pas fushatës”, vazhdon Stafa, duke treguar se do të merren hapa ligjore për të denoncuar këtë krim.
Në fakt, çështja e djegies së mbeturinave urbane ka qenë gjithmonë temë e nxehtë politike dhe mjedisore. Por, disa muaj më parë, nga Ministria e Mjedisit u konfirmua se qeveria kishte gati fondin për të ndërtuar një landfill në Manzë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/