Dorëzimi në Kuvend i ligjit për importin e plehrave është vetëm maja e ajsbergut, pasi për të janë bërë pazare të shumta. Ky ligj është dëshmia e qartë se ambientalistët dhe shoqëria civile në Shqipëri, ka vdekur! Ky ligj është dëshmia se si një grup individësh blihen shumë lehtë nga partia në pushtet. Falë këtij ligji, populli shqiptar do të kuptojë se cilët janë ata që e përfaqësojnë realisht në organizata e shoqata. Janë një grup njerëzish që blihen e shiten sipas interesave të momentit. Atëherë kur nuk përfitojnë asgjë, dalin e protestojnë me të madhe. Madje kemi parë dhe nga ata që kanë shkuar në greva urie. Mirëpo dje është parë se si ambientalistët tanë janë me dy fytyra. Ata individë që protestuan 5 vite më parë para Kuvendit për ligjin e Sali Berishës për importin e plehrave, sot dalin në mbrojtje të këtij ligji. Edhe pse deputetët që e kanë propozuar justifikohen se është më ndryshe, ai është i njëjtë në thelb. Nuk kanë rëndësi detajet, por rëndësi ka fakti se Shqipëria do të kthehet në kosh mbeturinash dhe nuk përjashtohet mundësia që jashtëqitjet e Italisë dhe vendeve të BE-së të grumbullohen te ne.
Gazeta “Sot” tentoi dje e pardje të merrte mendime nga ambientalistët më në zë në vend, si Sazan Guri, apo Lavdosh Feruni, dhe persona të tjerë. Individë që dikur ishin kundër këtij ligji. Mirëpo, këta dhe shumë kolegë të tyre të shoqërisë civile kanë dalë në mbrojtje të planit të Eduart Shalsit dhe shokëve të tij. Interesant është fakti se ligji ka muaj e muaj që diskutohet dhe të gjithë ambientalistët dhe një pjesë e madhe e shoqatave kanë dhënë aprovimin tyre. Madje kanë qenë dhe disa prej tyre që kanë kërkuar të bëhet importi i plehrave. Kjo është sot gjendja e shoqërisë civile dhe e ambientalizmit në Shqipëri. Një shoqëri me dy fytyra që shkon sipas interesit. Protesta për ndërtimet te Liqeni Artificial e tregun fare qartë këtë, ku ata që rriheshin me policët, morën projekte nga bashkia dhe më pas mbyllën gojën. Teksa edhe tani qeveria ka ndjekur të njëjtën metodikë. Para se të publikonte ligjin, u ka trokitur derë më derë të gjithë ambientalistëve dhe u ka kërkuar të mbyllin gojën. Duket se kjo ka ndodhur.
Atëherë, pyetjet që shtrohet janë: Ata që deri dje digjeshin se vendi do mbytej nga mbeturinat, pse sot besojnë se nuk do jetë ndryshe? Çfarë kapacitetesh plotëson Shqipëria për të marrë plehrat e botës? Kush do i kontrollojë në porte? Kush na garanton se nuk do të vijnë lëndë helmuese dhe radioaktive? Bëhet fjalë për një grup pyetjesh retorike që gjithkush ia di përgjigjen. Nëse ky ligj miratohet, atëherë ne nuk do jemi gjë tjetër veçse një pirg mbeturinash! Por dhe pse do rrezikohen jetët e mijëra personave, protesta për këtë ligj nuk do të ketë. Arsyeja është e thjeshtë: Ambientalistët në Shqipëri kanë vdekur!
Gazeta “Sot”





