“Kartela e verdhë”, komedia me rekordin e shikueshmërisë dhe shfaqjeve në teatrin e qytetit pritet të rivihet edhe njëherë në skenë me rastin e 60-vjetorit të teatrit. Emrat më të njohur të skenës durrsake do t’i lënë vendin aktorëve të rinj, në një stafetë që më shumë sesa një lënie rradhe për brezin më të ri do të jetë një vazhdimësi në gjurmët më të mira të traditës teatrore durrsake

“Kartela e verdhë” apo “Kartoni i verdhë” rezulton të jetë shfaqja më e vënë në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” në këto gati 60 vite histori të teatrit durrsak. Komedia e shkruar nga i mirënjohuri Haxhi Rama dhe e vënë në skenë po nën regjinë e tij ka regjistruar një rekord shikueshmërie duke u shfaqur për plot rreth 400 herë në skenë. Janarin e vitit të ardhshëm teatri i qytetit feston 60-vjetorin e krijimit dhe në nderim të kësaj date historike e me mjaft rëndësi për skenën durrsake stafi drejtues i pallatit të kulturës ka menduar të risjellë edhe njëherë në memorien e durrsakëve këtë shfaqje humoristike. Ideja është aprovuar edhe nga regjizori Haxhi Rama, i cili thekson për “Dyrrah” se rivënia në skenë e kësaj pjese do të kishte një rëndësi të dyfishtë; e para, sepse do të ringjiste edhe njëherë në skenë brezin e dikurshëm, atë që ka lënë vulën e vet në historinë dhjetëra vjeçare të teatrit dhe së dyti, sepse do të shërbente si një stafetë ku të vjetrit u lënë rradhën aktorëve të rinj.

Dhe e tillë do të konceptohet shfaqja. Në fillim do të ngjitet në skenë brezi i vjetër i aktorëve, ata që e interpretuan për herë të parë këtë komedi, e më pas interpretimi i roleve do të vazhdohet nga trupa aktuale teatrore e qytetit. Premierën e saj komedia e Haxhi Ramës e ka pasur në muajin korrik 1975 dhe aktorët e parë që kanë interpretuar në të janë emra të njohur të skenës durrsake të tillë si Kadri Pirro (Agroni, futbollisti), Mirush Kabashi dhe Milto Profi (dy tifozët e zjarrtë Teli dhe Foni), Drita Nikolla (doktoreshë Diana), çifti Vera e Spiro Urumi (Sanija dhe trajneri) etj. Krahas skenës së Durrësit, komedia është shfaqur me mjaft sukses edhe në qytete të tjera të vendit. Gjithçka është ende në fazën e projektit, pasi Rama thotë se ndoshta do të jetë pak e nevojshme të bëhen disa ndryshime të vogla në tekstin e komedisë për ta aktualizuar me realitetin e sotëm.

Një problem më vete përbëjnë edhe disa aktorë që tashmë janë ndarë nga jeta apo që jetojnë jashtë shtetit. Gjithsesi nëse do të bëhet e mundur që kjo ide të kurorëzohet me sukses nostalgjikët e teatrit do të kenë mundësi të shohin edhe njëherë në skenë disa nga figurat që i kanë dhuruar aq shumë emocioneve spektatorëve, ndërsa brezi i ri do të ketë mundësi të njihet me ata që falë dëshirës dhe pasionit arritën të bënin art në ato kohë të vështira të regjimit të kaluar.

Si u pezullua për dy vjet komedia

Megjithëse ishte shfaqur me mjaft sukses dhe kishte korrur duartrokitjet e publikut durrsak e jo vetëm, komedia “Kartela e verdhë” rrezikoi të mos shfaqej më. Shkak u bë një episod që në ato vite mund të ndryshonte përgjithmonë fatin e një vepre artistike. Regjizori Rama kujton se shfaqja po vihej me mjaft sukses për një javë me rradhë në qytetin e Beratit. “Ishte dita e gjashtë dhe e fundit, që po e shfaqnim komedinë në Berat. Kur njerëzit e morën vesh se të nesërmen nuk do ta shfaqnim më, e mbushën plot e përplot sallën e teatrit, saqë kasa e derës u shkul nga vendi nga moria e publikut. Ndërsa isha shumë i lumtur për suksesin si papritur më vjen një dush i ftohtë që nuk do ta harroj. Atë natë shfaqja ishte ndjekur edhe nga sekretari  i dytë i komitetit ekzekutiv, i cili menjëherë më thirri dhe më bëri disa kritika lidhur me personazhet, me pozicionin e tyre, batutat e shkëmbyera në skenë etj.”,- kujton regjizori. Në atë kohë kaq duhej dhe një shfaqje apo një vepër letrare mund të kryqëzohej.

Që nga ajo kohë komedia nuk u shfaq për dy vjet me rradhë. “Pasi e ripunova edhe njëherë me kujtohet se ajo kaloi në filtrin e disa komisioneve si ai i komitetit ekzekutiv, i teatrit, i televizionit etj. Pasi u aprovua nga të gjitha këto komisione komedia nisi sërish të rivihej në skenë”,- rrëfen ai. Rama kujton se gjatë viteve kur “Kartela e verdhë” shfaqej me mjaft sukses personazhi kryesor, ai i Agronit, një futbollist pak mendjemadh, u interpretua nga tre aktorë të njohur durrsakë si Kadri Pirro, Guljem Radoja dhe Xhelal Tafaj. Në qendër të saj, komedia ka tre fenomene sociale si: tifozllëku, dashuria dhe strehimi. Personazhi kryesor është një futbollist, Agroni, të cilit ndërmarrja ku punonte do t’i jepte një apartament një dhomë e kuzhinë, meqë ishte beqar. I riu duke dashur të përfitonte më tepër deklaron se ai në të vërtetë duhet të merrte dy dhoma e një kuzhinë, pasi do të martohej me doktoreshën e ndërmarrjes. Po deklarata e tij e bërë pa folur më parë me vajzën nxit reagimin e kësaj të fundit. E kështu nis strumbullari i të gjitha ngjarjeve që zhvilloheshinn në këtë shfaqje, ku batuta dhe dialogu i drejtpërdrejtë krijonin situatat plot humor.  



 

Si u krijua “Lemza” dhe “Djaloshi dhe shiu”

Ndërsa rendit pjesët teatrale që ka shkruar dhe vënë në skenë, Rama nuk harron të thotë se është një lojtar që luan me të dyja këmbët. Por pavarësisht arritjeve dhe kontributit të vyer që ka dhënë në teatër, ai ka arritur të realizojë gola të vërtetë edhe në muzikë. Megjithëse ka realizuar pak tekste këngësh mjaftojmë të kujtojmë “Lemza”, “Djaloshi dhe shiu”, “Gabimi i Mirelës”, “S’të harroj” etj. për të thënë me plot gojën se këngët e tij do të mbesin gjithmonë në fondin e artë të muzikës së lehtë shqiptare. Shkrimin e poezive Rama e nisi ashtu si shumë të rinj të asaj kohe që morinë e mendimeve që i qarkullojnë në mendje tentojnë t’i hedhin në letër. Miqësia që Rama kishte me të madhe Vaçe Zela, të cilën e kishte shoqe kursi në shkollë të lartë, i dha shtysën e parë për të shkruar tekste këngësh. Ishte viti 1962, viti i festivalit të parë të muzikës së lehtë dhe kompozitori i njohur Agim Krajka kishte realizuar muzikën e asaj që do të njihej pastaj me emrin “Lemza”.

Krajka kërkonte të bashkëpunonte patjetër me Vaçen, por këngëtarja i vuri si kusht që do ta këndonte këngën e tij, nëse teksti do të bëhej nga një shok i saj. E ky shok ishte pikërisht Haxhi Rama. Pasi u njoh me muzikën, brenda natës Xhixhi i dha dorën e fundit tekstit, të cilin kujton se ia dorëzoi Agim Krajkës në mëngjes herët. Megjithëse kënga u mirëprit nga publiku (u duartrokit për 7 minuta rresht), ajo nuk kaloi në datën finale sepse u kritikua. Sipas kritikëve të kohës, kompozitori ishte ndikuar nga muzika greke, ndërsa teksti i këngës aludonte për supersticione (nisja e lemzës, pasi dikush të kujton) dhe si e tillë kënga nuk ishte konform moralit të shëndoshë socialist. Pas këtij “dështimi”, Krajka dhe Rama përgatitën suksesin e rradhës, “Djaloshi dhe shiu”. Ndërsa festivali realizohej ditët e fundit të dhjetorit, kënga ishte gati që në muajin shkurt. Këtë herë qëlluan në shenjë duke rrëmbyer çmimin e dytë. Në bashkëpunimet me Krajkën, Rama ka koleksionuar 5 çmime të dyta, ndërkohë që me duetin e motrave Libohova, “S’të harroj” është nderuar me çmim të parë. Krahas Krajkës, Rama kujton bashkëpunimet që ka pasur në fushën e muzikës me Agron Xhungën, Aleksandër Lalon, Maksim Shehun, Zija Saraçin etj.