Është shndërruar në një aks rrugor që mbjell gjymtim dhe vdekje, frikë, po dhe domosdoshmëri për ta shfrytëzuar. Drejtuesit e mjeteve deklarojnë se ndjehen të pasigurtë teksa udhëtojnë në këtë aks kaq të rëndësishëm rrugor.
Këmbësorët nuk kanë si të kalojnë nga një anë në anën tjetër të saj, përveçse të kalojnë në mes të makinave që lëvizin me shpejtësi. E dinë që rrezikojnë shëndetin dhe jetën, po tentojnë pasi rruga është shumë e ngarkuar në lëvizje dhe jeta e përditshme u dikton edhe lëvizjet nëpër të. Pak ditë më parë një nënë e re vetëm 28 vjeçare nga Rrogozhina humbi jetën teksa kalonte rrugën bashkë me foshnjen 4 muajshe në krah. Sajmirin e vogël që u nda nga jeta pa mundur të njohë as të atin, që ndodhet në burg i dënuar për një ngjarje banale.
Pas gruaja e re la tre fëmijë të tjerë jetimë. Të dy, nënë e bir humbën jetën në aksin Plepa-Rrogozhinë, në afërsi të Golemit. Humbi jetën në atë që shpesh nga drejtuesit e automjeteve ka nisur të quhet aksi i ferrit. Pakujdesia e viktimës në kalimin e rrugës me foshnje në krah dhe lëvizja me shpejtësi e automjetit të emigrantit anglez deklarohet të jenë shkaqet që çuan në aksidentin tragjik.
Segmenti ku ndodhi aksidenti është një nga akset më të ngarkuara dhe më të pasistemuara rrugore, veçanërisht përsa i përket lëvizjes së këmbësorëve. I konsideruar si një segment mjaft i rrezikshëm rrugor, kushdo mund të konstatojë se mbikalimet për këmbësorët janë mjaft të rralla, fakt ky që favorizon kalimet e palejuara në rrugën e shndërruar në autostradë, një autostradë ende e pambyllur.
Mungesa e sinjalistikës horizontale dhe vertikale, trafikndarësit, si dhe vështirësitë e krijuara për këmbësorët përgjatë këtij aksi që lidh Veriun e vendit, Tiranën dhe Durrësin me Jugun dhe anasjelltas janë kthyer në makth për qytetarët, këmbësorë apo drejtues automjetesh qofshin ata.
Segmenti ku ndodhi aksidenti është një nga akset më të ngarkuara dhe më të pasistemuara rrugore, veçanërisht përsa i përket lëvizjes së këmbësorëve. I konsideruar si një segment mjaft i rrezikshëm rrugor, kushdo mund të konstatojë se mbikalimet për këmbësorët janë mjaft të rralla, fakt ky që favorizon kalimet e palejuara në rrugën e shndërruar në autostradë, një autostradë ende e pambyllur
Investimi për këtë rrugë, që ende nuk është dorëzuar nga firmat zbatuese të projektit, rezulton aspak funksional. Përgjatë tij ndodhin aksidente dhe përplasje të shpeshta automjetesh që lëvizin me shpejtësi mbi normat e lejuara në asfalt dhe këmbësorë që kërkojnë të kalojnë rrugën pa infrastrukturën e nevojshme për ta. Mbikalimet nuk mungojnë, por ndodhen në distanca të mëdha nga njëri-tjetri, ndërsa e gjithë zona është e banuar.
Investimi
Aksi rrugor Plepa –Rrogozhinë duhet të kishte përfunduar me kohë, po me nisjen e zbatimit të projektit dolën edhe probleme të shumta. Pezullimet e shtynë afatin e dorëzimit për një periudhë të pacaktuar, pavarësisht pakënaqësisë së theksuar te turistët, drejtuesit e automjeteve, banorët, por edhe policia rrugore, veçanërisht në sezonet e ngarkuara turistike.
Ky aks është mjaft i rëndësishëm pasi lidh Kosovën, Veriun e vendit dhe qytetet kryesore, Durrës e Tiranë, me plazhet e Shkëmbit të Kavajës, Golemit, ato të Kavajës dhe me të gjithë bregdetin e Jugut. Zbatimi i punimeve nxorri në pah një sërë problemesh që nuk ishin marrë parasysh gjatë hartimit të projektit.
Mes të tjerash, ndërtimi i rrugës hasi dhe në kundërshtimin e komunës së Golemit, pasi sjell izolimin e Golemit të sipërm dhe nuk parashikon mbikalime a nënkalimet e përfshira në masterplanin urbanistik të zonës, duke bllokuar hyrje-daljet në këtë komunë, vështirësuar lëvizjen e njerëzve dhe bllokuar integrimin e dy pjesëve të komunës.