30gusht 2015 – Unaza Plepa-Shkozet pjesë e By Pass-it të Durrësit, po kthehet ndër akset rrugore më të rrezikshme, për shkak të shtimit të numrit të aksidenteve që ndodhin aty. Edhe pse konsiderohet ndër arteriet kryesore të vendit, për të lidhur jugun me veriun, nëpërmjet autostradës Tiranë-Durrës, në të gjithë gjatësinë e saj vihet re mungesa e elementeve të sigurisë.

Me dhjetra aksidente kanë ndodhur në këtë segment të shkurtër, ndërsa brenda këtij muaji dy persona kanë humbur jetën në aksident automobilistik. “Panorama” i ka kushtuar vëmendje kësaj rruge nacionale, ku banorët që jetojnë në të dy krahët apelojnë për shtimin e mbikalimeve dhe elementeve të tjera të sigurisë.

Rruga e re Plepa-Shkozet, e cila kalon mes përmes një zonë të urbanizuar, ka mungesë të theksuar të elementeve të sigurisë. Kufiri i shpejtësisë nga drejtuesit e automjeteve nuk respektohet, ndërsa mungesa e sinjalistikës në kryqëzime dhe degëzimet e segmentit, në jo pak raste janë bërë shkak për aksidente fatale. Sinjalistika fosforeshente mungon plotësisht, ashtu sikurse edhe mbrojteset anësorë të rrugës, duke u kthyer në një rrezik potencial në rastet e aksidenteve, kryesisht për banorët e bizneset e pozicionuara në të dyja anët e rrugës.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/